Zgjedhjet e 30 qershorit, Bardhi: PD e LSI me anëtarë në KZAZ

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi konfirmoi se PD mund të shfrytëzojë hapësirën ligjore dhe të dërgojë anëtarë në komisionet e administrimit të zgjedhjeve, pavarësisht se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Sipas Bardhit, ky vendim është marrë për “për të dokumentuar paligjshmërinë që Rama po bën me zgjedhjet”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike tha se PD dhe LSI kanë informacion se zyrtarë në KZAZ po kryejnë manipulime të rënda me procesin zgjedhor.

“Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.