Veliaj: Zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor, garën e kemi me veten

TIRANË, 16 maj/ATSH-A. Fortuzi/- Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kandidat zyrtar tashmë edhe për një mandat të dytë, gjatë një interviste për “A2 CNN”, thekson se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe se qytetarëve nuk mund t’u mohohet e drejta për të marrë shërbime nga bashkia.

“Në 30 qershor kemi zgjedhje lokale, kush ka problem me zgjedhjet parlamentare le të shkojë t’i zgjidhë me zgjedhjet parlamentare. Por, të më thuash mua se nesër nuk do të ketë varrime në Tiranë, nuk do të mbillen pemë, nuk do mbarojë shkolla, nuk do të ketë qumësht nëpër kopshte, sepse një parti politike në sondazhe del më pak se 20% në Tiranë dhe ish-drejtuesit të vet nuk i jepet viza amerikane, po ky nuk është problemi im dhe ky nuk është fare problemi i qytetarëve të Tiranës”, – u shpreh Veliaj. Më tej ai nënvizoi se pavarësisht nëse opozita do marrë pjesë apo jo në zgjedhje, ai garën nuk e ka me kandidatët e tjerë, por me veten, si referendum me qytetarët e Tiranës për punët që janë bërë në këto 4 vite.

“Unë jam kryetari i bashkisë që jam betuar për një mandat 4-vjeçar. Shkollat që po hedhim themelet sot duhet të mbarojnë, çerdhet, kopshti në Kodër-Kamzës duhet të mbarojë, kemi një plan vjetor të mbjelljes së pemëve. Ju e përmendët, kryetari i bashkisë firmos në ditë 1 mijë shkresa. A kam unë mendjen t’i lexoj të gjitha? Jo! Disa janë rutinë, fjala vjen shpronësime varrezash në Tufinë dhe në Sharrë. Pse? Duam, s’duam ne, njerëzit ndërrojnë jetë përditë; duam, s’duam ne, do shkojë ushqimi në kopshte dhe në çerdhe, do të shkojë qumështi. Kështu që, unë nuk mund të jem aq aventurier dhe të them meqë një forcë politike nuk paraqitet, mos t’i bëjmë këto”, – tha Veliaj.

“Unë jam i bindur që në datë 30 qershor do të ketë të majtë dhe të djathtë; edhe i djathti do që fëmija të shkojë në kopsht, t’i mbarojë shkolla, do që të mbarojnë investimet edhe te liqeni, edhe në Farkë, edhe në Vaqarr, ku janë parqet kryesore, do që të vijnë autobusët elektrikë”, – vijoi Veliaj.

“Do të bëhet me secilin qytetar, që në një ditë familjare do të shkojë të votojë dhe thotë: e di çfarë, mua nuk më intereson fati i politikanëve. Ti ke sot drejtues të opozitës që këndojnë himnin dhe familjen e kanë të gjithë holandeze. Po të ishte që u dhembte për Shqipërinë s’bëheshin holandezë”, – shtoi Veliaj.

“Ke të tjerë që tërë ditën rrinë në Facebook, kanë qenë president dhe familjen e bën austriake. Pra, këta qartazi kanë një hipokrizi. Ke familje të opozitës që kanë drejtuar këtë qytet, me kunetër, me vëllezër, me motra, e kanë pasur në dorë t’i bëjnë këto punë, pra nuk është se janë njerëz të paprovuar që ne nuk u kemi dhënë një shans. Ti më thua mua për bojkot, por për katër vjet unë s’i kam pasur në këshill bashkiak. A e ndaloi qyteti punën? Jo, sepse unë premtimin s’ia kam dhënë atyre, ua kam dhënë qytetarëve që thanë, te ky çuni dhe te kjo skuadër, kemi besim”, – vijoi kreu i bashkisë së Tiranës.

“Unë nuk kam garë me ta, tha Veliaj, dhe unë e kam thënë këtë përpara këtyre muhabeteve të mospjesëmarrjes në zgjedhje. E kam thënë që ne garën e kemi me veten. Unë dua që kjo bashki në katër vitet e ardhshme të performojë më mirë se katër vitet e kaluara. Teksa ne jemi duke bërë këtë intervistë sot, larg qoftë një televizion tjetër mbyllet dhe rivali juaj në të njëjtën orë nuk e bën emisionin. Ju çfarë do të bëni, nuk do paraqiteni më në punë? Unë e kam garën që t’i mbaroj këto shkollat, t’i mbaroj këto rrugë, të mbarojë bulevardi i Kasharit, të mbarojë rruga “Xhanfize Keko”. Pra, unë kam merak këto, ju thoni, kemi merak se ky është mërzit për zgjedhje që ai mendon që janë vjedhur në një vend tjetër. Unë jam në Tiranë, kam zgjedhje në Tiranë. Nëse këtu nuk kemi probleme, ku është halli i këtyre dhe kur kanë probleme le të shkojnë në prokurori”, – theksoi kreu i bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj përballë në fushatë do të ketë Arben Skënderin e Bindjes Demokratike.

“E njoh, me shumë konsideratë, është artist, ka qenë staf i kësaj bashkie. Ndoshta, një nga njerëzit më të saktë. Mbaj mend edhe ne kur kemi qenë në opozitë, duke qenë se organizonte pjesët e kulturës dhe kur ne kishim aktivitete atëherë, ishte një nga njerëzit më civil, më qytetar. Unë besoj se i bën nder kujtdo partie kur sjell një ofertë qytetare. E kam uruar për kandidimin që ditën e parë dhe i kam shtrirë dorën… Çdo njeri futet në garë për të fituar. Kam shtrirë dorën për një garë qytetare, të cilën zoti Skënderi e reciprokoi. Tha, po, ka ardhur koha të kemi një garë qytetare. Stafet tona do të diskutojnë kur do të ketë momente për të paraqitur platformat dhe më të mirit i qoftë puna mbarë”, – shtoi Veliaj.

Veliaj tha se është gati dhe për debat publik. “Unë kam sfiduar për debat dhe zoti Kosova në atë kohë, ishte taktika e partisë së tyre të mos merrte pjesë. Pastaj, taktika e partisë së tyre ishte të bojkotonte që ditën kur u betova. Unë pa filluar punën, pa ngritur dorën të betohesha, ata ikën nga këshilli. Ka ardhur koha që të kemi disa diskutime qytetare, pa u marrë me çështje personale dhe duke u fokusuar te tema”, – shtoi Veliaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.