Veliaj i dorëzon “Medaljen e Mirënjohjes” violinistit Tedi Papavrami

Veliaj: “Një frymëzim i jashtëzakonshëm për të rinjtë; Pavarësisht sa lart fluturon, gjithmonë e ke mendjen tek Shqipëria”

TIRANË, 16 maj/ATSH-A. Fortuzi/ – Violinisti shqiptar me famë botërore, Tedi Papavrami dhe pianisti François Frederic-Guy sollën mjeshtërisht për publikun kryeqytetas në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse tingujt e sonatave më të njohura të Ludwig van Beethoven.

Pas koncertit, Papavrami u prit në një takim nga kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi talentin e violinistit shqiptar, i cili tashmë është edhe një frymëzim i jashtëzakonshëm për artistët e rinj.

“Sa herë vjen në Tiranë, kthimin tënd mijëra njerëz e shohin si një kthim tek rrënjët, si një model frymëzimi”, – tha Veliaj. Në emër të qytetarëve të Tiranës, ai i dorëzoi artistit “Medaljen e mirënjohjes” dhe e falenderoi për vëmendjen e vazhdueshme që tregon për vendin e tij.

“Si kryetar të jap medaljen e mirënjohjes së Bashkisë së Tiranës. Unë e di që ti i përket gjithë Shqipërisë, gjithë Evropës dhe gjithë botës sot, me aq i madh sa je bërë, por gjithmonë ne të Tiranës na pëlqen të të quajmë më tonin, se sa të tjerët, dhe besoj se mund të mburremi sadopak, që një djalë i qytetit tonë na ka bërë kaq krenarë. Të falenderoj shumë në emër të të gjithë qytetit, sepse pavarësisht sa lart fluturon, gjithmonë i ke sytë, veshët, mendjen mbrapa. Faleminderit që na sjell hir në qytetin tonë, sa herë kthehesh këtu”, – u shpreh kreu i bashkisë së Tiranës.

Mes emocioneve për këtë vlerësim, Papavrami falenderoi kryebashkiakun Veliaj për nderimin që iu bë. “E ndiej veten krenar dhe të prekur nga ky gjest. Shumë faleminderit”, – tha ai.

Tedi Papavrami ka interpretuar në Europë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J. C. Casadesus, etj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.