Vasilit i refuzohet viza amerikane? Kryemadhi: Nuk e vë dorën në zjarr

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nuk e pohoi dhe as e mohoi lajmin e siguruar nga burime të “Zërit të Amerikës” për refuzimin e vizës amerikane ndaj nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili.

Gjatë intervistës në “Zërin e Amerikës”, Kryemadhi u pyet nëse e konfirmonte një lajm të tillë, që ish-kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i është refuzuar viza në SHBA.

Kryemadhi tha se në dijeninë e saj një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, por gjithsesi nuk e vinte dorën në zjarr.

“Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza zotit Vasili. Nëse ka një njeri më pa probleme ai është zoti Vasili, por nuk e vë dorën në zjarr as për fëmijët e mi dhe, as për bashkëshortin tim”, – theksoi Kryemadhi.

Kryemadhi foli gjatë intervistës edhe për pretendimin e opozitës për shitblerje votash në zgjedhjet e vitit 2017. “Ne nuk themi janë vjedhur votat, por janë përdorur paratë e krimit të organizuar për të blerë vota, për t’i intimiduar dhe për të shkatërruar të gjithë procesin zgjedhor”, – tha Kryemadhi.

Sipas saj, djegia e mandateve është një veprim shumë ekstrem, që opozita e mori e detyruar. “Njerëz populistë si Edi Rama vijnë në pushtet nëpërmjet votës së lirë. Kapin mazhorancën në parlament dhe më pas kërkojnë të kapin institucionet dhe i kapin hap pas hapi, për të ardhur dhe për të kapur sistemin e drejtësisë, i cili nuk mund të merret me votë, sepse sistemi i drejtësisë është diçka jashtë politikës, vjen me të ashtuquajturën reformë”, – tha ajo.

Vetë Vasili duke reaguar për lajmin tha se prej vitit të kaluar nuk ka aplikuar për një vizë amerikane.

“Ju sqaroj që kam qenë disa herë radhazi në Amerike i pajisur gjithmonë me vizë zyrtare A2 duke filluar nga pjesëmarrja në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump në janar 2017 dhe më pas edhe në dy vizita të tjera të njëpasnjëshme.
Vizita e fundit dhe kërkesa e fundit për pajisjen me vizë ka qenë në qershor të vitit 2018 në vizitën e.Kryemadhit në Washington ku sërish kam udhëtuar me vizë A 2”, deklaroi Vasili.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.