Tjetërsimi i pronave në Spille, 18 vite heqje lirie për 9 ish-zyrtarët e Kavajës

TIRANË, 16 maj/ATSH-A. Fortuzi/ – Gjykata e Kavajës vendosi të enjten të dënojë me burg 9 ish-zyrtarët e akuzuar nga Prokuroria për tjetërsim të pronave në zonën e plazhit të Spilles.

Sipas vendimit të marrë sot nga Gjykata e Kavajës, në përfundim të shqyrtimit të dosjes në fjalë, trupa e gjyqtarëve vendosi në total 18 vite heqje lirie për 9 ish-zyrtarët e Kavajës, por në kuadër të pranimit të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit përfitojnë ulje të dënimit me 1/3- duke e çuar kështu në total dënimin me 13,4 vite burg.

Gjyqtari i çështjes Rexhep Bekteshi, duke lexuar konkluzionet e trupës gjyqësore bëri të ditur se togat e zeza kanë vendosën të dënojnë Seid Cikalleshi me 2.8 vite burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike, Andi Gjeçi 2.4 vite burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike, Asim Arkaxhiu 2 vjet burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike, Aldo Kila 1.8 vite burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike, Ilir Kaja 3 vjet burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike, Agron Xhelezi 2 vjet burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike, Drita Kazazi 2 vjet burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike dhe Aida Gjoci 8 muaj burgim.

Ndërkohë në leximin e pretencës, Prokuroria kërkoi dënimin me 4 vjet burg për ish-kryeregjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Kavajë Seit Cikalleshin, 5 vjet për ish-zyrtarin e njësisë administrative Kryevidh Ilir Kaja, 3 vjet e 6 muaj për Andi Gjeçin ish-zyrtar i ZVRPP Kavajë, nga 3 vjet për zyrtarët e ZVRPP Kavajë Asim Arkaxhiu dhe Dritan Kazazi, 3 vjet për ish-shefin e zyrës së Kadastrës Kavajë Nezir Leçini dhe po 3 vjet për ish-agronomin e komunës Kryevidh Agron Xhelezi. Gjithashtu prokuroria kërkoi 2 vjet e 6 muaj për juristin Aldo Kila dhe 1 vit burg për protokollisten e ZVRPP-së Kavajë Aida Gjoci.

Vendimet e plota të Gjykatës

1-Seid Cikalleshi, ish-kreu i ZVRPP Kavajë dënohet me 2.8 vjet burg
2-Andi Gjeçi, jurist në ZVRPP Kavajë dënohet me 2.4 vite burgim
3-Asim Arkaxhiu dënohet me 2 vjet burgim
4-Aldo Kila dënohet me 1.8 vite burgim
5-Ilir Kaja i njësisë administrative Kryevidh dënohet me 3 vjet burgim
6-Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave dënohet me 2 vjet burgim
7-Dritan Kazazi, ish-hartograf në ZVRPP dënohet me 2 vjet burgim
8-Nezir Leçini, ish-shef i Kadastrës dënohet me 2 vjet burgim
9-Aida Gjoci, 8 muaj burgim konvertuar në 120 orë punë të detyruar

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.