SQARIM/ Balluku për autostradën Tiranë-Durrës: Nuk fillon në vjeshtë pagesa, por gara

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku sqaroi sot procedurat për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës

TIRANË, 16 maj /ATSH/- Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku sqaroi sot procedurat për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës. Ministrja tha se rruga nuk do të bëhet as tani dhe as në shtator me pagesë, por në vjeshtë do të hapet gara më pas do të zgjidhet fituesi, i cili së pari duhet të zgjerojë dhe të sjellë në parametra europiane rrugën e vjetër Tiranë-Plepa si alternativë pa pagesë përpara se të bëhet autostrada me pagesë.

“Nuk qëndron asnjë projekt për momentin, do të presim çdo projekt që do të ketë fizibilitet të lartë. Dje ka pasur një konfuzion në media, projekti i autostradës Tiranë-Durrës është përmendur shpeshherë edhe nga Ministria, edhe nga Qeveria si një nga projektet kryesore, pasi lidhja e kryeqytetit me portin e vendit është detyrë, ne na vendos para faktit që duhet sa më shpejt ky projekt të avancojë dhe të zhvillohet. Ne po punojmë mbi këtë projekt dhe në vjeshtën e këtij viti të shpallet për garë dhe më pas të kemi një garë transparente midis investitorëve për të qenë fituesi i radhës dhe më pas të fillojnë punimet, pra jo që në shtator do të fillojë kalimi me pagesë në Tiranë-Durrës. Do të ketë një dialog publik. Të gjitha rrugët që në të ardhmen do të jenë me pagesë do të kenë gjithmonë rrugën e tyre alternative siç ndodhë në të gjitha vendet e BE-së. Asnjë mundësi e vetme nuk do të jetë asnjëherë me pagesë”, – tha ajo.

Balluku deklaroi se “nuk bëhet thjeshtë për zgjerim të autostradës, por përmirësim të të gjitha kushteve. Ka pasur një propozim dhe një projekt që po shikohet për t’u vlerësuar dhe nuk ka një propozim për pagesën. Është e parëndësishme për momentin elementi se sa do të paguhet, pasi kjo do të ndodhë pas realizimit të projektit, pas përfundimit të garës transparente, pas realizimit të projektit, pra në një afat të largët, por që do të bëhet përmes një procesi dialogues”.

Duke u ndaluar te tarifat, Balluku tha se do të ketë përshkallëzim, por ende është e largët koha që do të futet në fuqi pagesa.

Ministrja tha se, “do të ketë një pagesë të përshkallëzuar, jo çdo dalje të paguhet me një tarifë, nëse dikush do të dalë në Rinas apo në varësi të rrugës që do të përshkruajë çdo automjet. Pra tjetër pagesë kur del në Rinas, tjetër kur del në zonat periferike në Durrës apo në port. Dhe e dyta, kushdo që do të jetë fituesi detyra e parë që do të ketë është përmirësimi i rrugës së vjetër Tiranë-Plepa pa pagesë. Më parë do të vendoset në dispozicion rruga, që Shqipëria do të përfitojë një rrugë të dytë me parametra të rrugës nacionale, jo sikur është sot, por e zgjeruar dhe e përmirësuar. Fillimisht do të bëhet nga i njëjti investitor me kostot e tij, do të përmirësohet, zgjerohet dhe do të sillet në parametra europianë rruga Tiranë-Plepa për të filluar më pas punimet në autostradën Tiranë-Durrës”.

“Nuk kemi arritur deri këto detaje, pasi akoma jemi te detajet teknike”, – tha ajo.

/e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.