Pjetri: Më 30 qershor do të doja kundërshtar për të ballafaquar projektet për Shkodrën

TIRANË, 16 maj/ATSH-A. Fortuzi/- Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar të bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, gjatë një deklarate për mediet këtë të enjte, theksoi se do dëshironte që në garën e 30 qershorit të kishte kandidat përballë për të ndeshur mes tyre projektet për të ardhmen e Shkodrës. Sipas tij, të gjithë duhet të votojnë më 30 qershor.

Ish-prefekti i Shkodrës, tashmë kandidat zyrtar i PS-së për bashkinë, Pjetri tha se respekton vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje, edhe pse do donte kundërshtar. “Tashmë jam kandidat zyrtar i Partisë Socialiste për Shkodrën. Jam i nderuar dhe i vlerësuar. Është një mundësi që të vjen një herë në jetë. Sigurisht do doja shumë të kisha pasur një kandidat përballë. Do të ishte një garë shumë e bukur që të luftonte projekti me projektin, pra cili do të ishte projekti më i mirë për qytetin e Shkodrës. Duke pasur konkurrencë të gjithë do të ishim më të kujdesshëm për projektin për të bërë diçka më të mirë për qytetin. Nuk është zgjedhje e imja, por e tyre, e opozitës që bojkotoi zgjedhjet”, – u shpreh Pjetri.

I pyetur për sfidat që paraqet Shkodra dhe situata e rendit në këtë qytet, Pjetri theksoi se nuk u druhet. “As nuk më frikëson as nuk më ndal për të bërë punën time në zbatim të ligjit dhe për të zbatuar projektet për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të ndershëm të bashkisë së Shkodrës”, u shpreh Pjetri. Ai ftoi qytetarët e Shkodrës t’i bashkohen zgjedhjeve të 30 qershorit, pasi kështu do të ngrinin zërin e tyre për të ardhmen e Shkodrës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.