Përfaqësimi në KZAZ, Manja: PD të ndajë mendjen nëse do hyjë në zgjedhje

TIRANË, 16 maj/ATSH-Megi Zonja/ Vendimi më i fundit i Partisë Demokratike për t’u përfaqësuar në KZAZ dhe KQV, pa marrë pjesë në zgjedhje është komentuar nga deputeti socialist Ulsi Manja gjatë një interviste televizive. Sipas tij, PD duke qenë në rrugë ushqehet me informacione kafeneje, pasi procesi i regjistrimit është ligjërisht i mbyllur dhe zgjedhjet vendore administrohen nga KZAZ-të.

“Është në vazhdën e informacioneve që PD i mbledh në kafene, se kur je në rrugë me ato informacione do ushqehesh, nuk përfaqësohet në KQZ e KAZAZ dhe informacionet i merr nga rruga dhe kjo s’më duket serioze, e dyta PD dhe LSI kanë vendosur të përfaqësohen në KQV e KAZAZ pa marrë pjesë në proces. Unë nuk dua të hyj në teknikalitete juridike. Procesi në këtë moment është ligjërisht i mbyllur. Kodi Zgjedhor ka afate për regjistrimin e kandidatëve, listave dhe këshilltarëve respektivë”, – tha Manja.

Nga pikëpamja ligjore, sipas tij, procesi është ligjërisht i mbyllur dhe këto zgjedhje administrohen nga KZAZ vendore dhe KZAZ janë ngritur dhe KQV janë derivat.

“PD do të duhet t’u thotë qartë shqiptarëve do hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit apo jo, sepse në këtë moment PD u thotë shqiptarëve që ne s’do jemi pjesë e dasmës, por do jemi zotërit e dasmës. Do vijmë të shohim si bëni ju dasmën. Që në këtë deklarim tregon mosseriozitetin dhe problemi këtu është politik”, – tha Manja.

I pyetur nëse ka hapësirë për shtyrje të datës së zgjedhjeve me konsensus, Manja tha: “Datën e zgjedhjeve nuk e kemi vendosur ne, ne kemi detyrimin kushtetues t’u shkojmë shqiptarëve me një alternativë, e drejta e zgjedhjes është e qytetarëve jo e jona”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.