PD-LSI në KZAZ, reagon Patozi: Komisionerët u takojnë partive që marrin pjesë në zgjedhje

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Një nga themeluesit e Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi e cilësoi provokim, vendimin e PD-LSI për të dërguar komisionerë në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve për procesin elektoral të 30 qershorit.

“Lajmi se Partia Demokratike dhe LSI-ja do të kërkojnë të përfaqësohen me komisionerë, por me jo me popull, në zgjedhjet e 30 Qershorit është provokimi më i fundit ndaj procesit zgjedhor”, reagoi Patozi.

Sipas tij, zgjedhjet janë procesi i atyre, që marrin pjesë dhe administrohen sipas ligjit nga partitë e përfaqësuara në parlament. “Partia Demokratike dhe LSI-ja nuk janë më të përfaqësuara, as në parlament dhe, as nuk marrin pjesë në zgjedhje me vullnetin e tyre.

Përpjekja për të penguar procesin zgjedhor me komisionerë drejtohet pikë së pari kundër ‘Bindjes Demokratike’, e cila duhet të ketë patjetër komisionerët e vet në atë proces”, tha Patozi.

Ai shtoi se kjo lëvizje e PD-LSI drejtohet edhe kundër procesit zgjedhor në tërësi, tek i cili me sa duket, sipas tij, ata duan të fusin brenda Kalin e Trojës.

“Bindja Demokratike, – tha ai, – dënon me ashpërsi këtë provokim mbi procesin zgjedhor dhe i kërkon KQZ-së që të veprojë shpejt dhe me drejtësi për t’ua lënë zgjedhjet atyre që zgjedhin dhe zgjidhen dhe jo atyre që nuk duan të bëhen zgjedhje fare në Shqipëri”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.