Nikolla: Sjellja e opozitës dëmton imazhin dhe ekonominë e vendit

TIRANË, 16 maj/ATSH-A. Fortuzi/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, gjatë një interviste për “Ora News”, të enjten, duke folur për aktualitetin politik, ka theksuar se sjellja e opozitës me protesta të dhunshëm po dëmton imazhin dhe ekonominë e vendit në një moment tejet delikat si ai i çeljes së negociatave për integrimin në Bashkimin Europianë.

Sipas Nikollës, opozita është në të drejtën e vet të bëjë protesta, por sjellja e saj është e panatyrshme dhe kjo lidhet dhe me faktin se LSI e PD janë duke humbur elektorat.

“Sigurisht është një krizë e paprecedent, ku aktorë të opozitës kanë vendosur të dalin jashtë sistemit duke djegur mandatin dhe është e natyrshme që çdo opozitë të kërkojë zgjedhje të reja, por ajo që është e panatyrshme është ajo kërkesë e opozitës për mos bërjen e zgjedhjeve”, – tha Nikolla.

“Kemi parë që protestat janë shoqëruar me dhunë dhe kjo lidhet dhe me humbjen e mbështetjes. Sa më shumë bie popullaritetit i Lulzim Bashës, aq më shumë tentohet dhuna nga opozita. E pamë të shtunën e shkuar, por dhe më herët, por të shtunën pamë se si iu drejtua opozita me molotovë godinave të institucioneve të shtetit si Kryeministria, Policia, duke rrezikuar veç godinave dhe jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve”, tha Nikolla.

Ish-ministrja e Arsimit dhe Sportit u shpreh se sjellja e policisë në protesta ka qenë brenda të gjitha normave. “Nga ajo pak që kam monitoruar nga agjencitë e huaja partnere kanë vlerësuar se veprimi policisë ka qenë konform ligjit dhe sipas kërkesave dhe mënyrës së trajtimit të që duhet të ketë policia në këtë rast. Në rastin e Dollapit nuk ishte e nevojshme dhuna dhe në protokollin e policisë nuk parashikohej ai akt dhe është dënuar dhe nga ministri i linjës, por edhe më gjerë”, – vijoi Nikolla.

Ajo tha se është kaluar dy herë vija e kuqe nga opozita. “Është kaluar dy herë vija e kuqe, e para me sjelljen e opozitës me kërcënimin ndaj ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, dhe kjo është e paimagjinueshme. Një opozitë që duhet të kontribuoj në integrimin në BE, kërcënon një ambasador. Por, ne pamë në protestat e opozitës kemi parë dhe një vijë të dytë të kuqe të shkelur nga opozita, kur u dhunua një operatorë, një reporter, apo një makinë e një medie tjetër, shenjë kjo e dhunës ndaj medias së lirë”, – tha Nikolla.

“Dhuna në protesta dëmton imazhin dhe ekonominë e vendit.  Kjo shfaqje cenon pamjen e Shqipërisë në hapjen e negociatave. Këto janë moment që cenojnë vendin ekonomikisht, turizmin”, – tha Nikolla.

“Zgjedhjet? E përsëris dhe njëherë opozita ka zgjedhur në zgjidhjen e saj tejet të lirë të bëhen anti-sistem. Është e paimagjinueshme që një opozitë të protestojë të mos bëjë zgjedhje. 30 qershori është dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe Partia Socialiste nuk ka në dorë të fus me zorrë opozitën në zgjedhje apo të ndryshojë datën për hir të opozitës, por ajo që ka në dorë mazhoranca është garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj dhe qeveria ka marrë një vendim të rëndësishëm për të larguar tenderët në nivel bashkie apo përdorim të çdo lloj mënyre të administratës publike për fushatë elektorale. Më lejoni t’ju kujtoi se në zgjedhjet e vitit 2017, kur z. Basha mori drejtimin e shumicës së ministrive, spati asnjë kontestim dhe u mor një vendim i ngjashëm dhe për administratën. Kryeministri Rama ka qenë gjithnjë me dorën e shtrirë për dialog për të përmirësuar situatën”, – shtoi Nikolla.

“Ndërkombëtarët kanë legjitimuar parlamentin dhe i kanë bërë thirrje opozitës të bëhen pjesë e sistemit duke u future në zgjedhjet lokale. Në Parlament u dha një përgjigje rëndësishme çdo lloj  pretendimi, duke u theksuar se nuk ka asnjë lloj negociate apo marrëveshje me opozitën. E vetmja marrëveshje është vullneti jonë për të ndjekur rrugën kushtetuese për zgjedhje në 30 qershor dhe të qenit të hapur për dialog. Unë, – tha Nikolla, – jam drejtuese politike në Lezhë dhe kemi nisur punën për fushatën elektorale. Dje prezantuam kandidatët për qarkun Lezhë, dhe kemi vënë re se qytetarët janë shprehur të kënaqur për kandidatët e prezantuar prej nesh”, – nënvizoi Nikolla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.