Ministria e Brendshme, bashkëpunim me Mbretërinë e Norvegjisë

TIRANE, 16 maj/ATSH/- Ministria e Brendshme nënshkroi Protokollin e Bashkëpunimit me Qendrën për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Norvegjisë (CIDS).

Protokolli u nënshkrua nga zv.ministrja Romina Kuko në në një ceremoni të organizuar në Budva, në kuadrin e konferencës rajonale që shënoi fillimin e zbatimit formal të Marrëveshjes së Grantit Norvegjez për Ndërtimin e Integritetin, në Ballkanin Perëndimor.

Granti mbështet Ministritë e Brendshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si dhe Ministritë e Mbrojtjes së Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi për forcimin e kapaciteteve në fushat e ndërtimit të integritetit dhe antikorrupsionit.

Fushat e bashkëpunimit në kuadër të këtij granti përfshijnë ofrimin e asistencës dhe mbështetjes në sferën e burimeve njerëzore, prokurimit publik, sistemeve të organizimit dhe menaxhimit; ngritjen e kapaciteteve në drejtimin e përgjithshëm organizativ dhe manaxherial të Ministrisë, duke u bazuar në profesionalizëm dhe gjithëpërfshirje dhe duke respektuar barazinë gjinore; si dhe forcimin e mekanizmave për promovimin e integritetit dhe zvogëlimin e ekspozimit ndaj korrupsionit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.