Lehtësitë fiskale, sipërmarrës rumunë interes për investime në Shqipëri

TIRANE, 16 maj /ATSH/- Investitorë rumunë po shohin me interes angazhimin për sipërmarrje të reja në tregun shqiptar.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit dhe Investimit, AIDA bën të ditur se, gjatë një vizite dy ditore në Tiranë, një delegacion i përbërë nga biznesmenë rumunë vizituan dhe u njohën nga afër me risitë dhe lehtësitë fiskale që ka ndërmarrë qeveria, për thithjen e investimeve të huaja.

Biznesmenët rumunë, sipas njoftimit patën mundësinë të zhvillonin takime pune me përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe autoritete shtetërore, duke përfshirë Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni rumun zhvilloi një takim pune edhe përfaqësinë e AIDA-s. Ndër çështjet që u diskutua në këtë takim ishte mbi panoramën e përgjithshme të investimeve në Shqipëri, ku u dhanë informacione mbi infrastrukturën e vendit, regjimin e taksave, kualifikimin e forcës punëtore dhe lehtësirat fiskale dhe ekonomike që parashikohen për investitorët e huaj.

Delegacioni rumun iu prezantua edhe mundësitë konkrete të investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke theksuar rolin e AIDA-s, si institucion lehtësues dhe mbështetës në realizimin e këtyre investimeve.

Shifrat e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve në vitin 2017, u rritën me rreth 50% krahasuar me një vit më parë. Shuma totale e shkëmbimeve për 2017 shënoi vlerën mbi 120 milionë euro, me një theks të veçantë te mallrat që mbërrijnë në Shqipëri, rreth 80 milionë euro dhe 30 milionë që janë eksportuar nga Shqipëria në Rumani.

Ndërkohë që mundësitë e diversifikimit të bashkëpunimit me fusha të ndryshme ekonomike paraqesin dinamikë të re zhvillimi mes dy vende. e.xh/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.