FT: Bashkimi Europian t’i hapë dyert Ballkanit Perëndimor

LONDËR, 16 maj /ATSH/ – Bashkimi Europian duhet ta shpërblejë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me fillimin e negociatave të anëtarësimit gjatë samitit të qershorit, përndryshe, ai do të provokojë trazira në të gjithë Ballkanin dhe do të dëmtojë unionin, shkruan sot gazeta e njohur britanike ”Financial Times”.

Më poshtë teksti i plotë i artikullit të kësaj gazete, shkruar nga Tony Barber:

”Sapo filluan luftërat në ish-Jugosllavi, në vitin 1991, Jacques Poos, në atë kohë ministër i Jashtëm i Luksemburgut, vlerësoi përpjekjet paqeruajtëse të BE-së si një shenjë se “ora për Europën” kishte ardhur.

Vetëbesimi i tij paralajmëronte një errësirë të tmerrshme që po zbriste në Evropën Juglindore. Kufizimet e fuqisë së butë të BE-së nuk ishin ekspozuar kurrë aq brutalisht sesa gjatë akteve mizorive që u zhvilluan në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë derisa u ndërprenë nga forcat ushtarake të NATO-s dhe diplomacia e udhëhequr nga SHBA-ja.

Tani BE është në prag të një gabimi tjetër historik në Ballkan.

Qeveritë europiane do të vendosin, në një samit në qershor, nëse do të fillojnë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi duhet të jetë unanim për të hyrë në fuqi. Kryesisht për të mbrojtur veten kundër kundërshtarëve të brendshëm, disa qeveri, të udhëhequra nga Franca dhe Holanda, ngurrojnë të angazhohen në atë që duhet të jetë faza e ardhshme e zgjerimit të BE-së.

Francezët dëshirojnë që BE-ja të përqendrohet në reformimin e vet dhe në forcimin e eurozonës dhe në shmangien e lëvizjeve që mund të rritin mbështetjen për nacionalistët e së djathtës në Europë dhe populistët anti-establishment.

Megjithatë, në qoftë se kundërshtarët dalin fitimtarë, ata do të rrezikojnë të nxisin pikërisht tensionet që BE thotë se dëshiron të mbajë nën kontroll në Ballkan.Ky argument zbatohet me forcë të veçantë në Maqedoninë e Veriut. Zoran Zaev, kryeministri dhe kolegët e tij kanë hedhur poshtë ultranacionalizmin e paraardhësve të tyre. Ata shfaqën guxim të madh në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi emrin e vendit të tyre që kishte vështirësuar marrëdhëniet me Greqinë fqinje që nga fillimi i viteve 1990.

Për Ballkanin, i njohur që nga epoka para Luftës së Parë Botërore për mosmarrëveshje të pazgjidhura etnike, fetare dhe territoriale, është një shembull shumë i rrallë i një kompromisi të arsyeshëm që arrihet në mënyrë paqësore.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të pyesin veten nëse BE-ja do t’i hapë dyert e veta, nëse diplomacia e guximshme dhe menaxhimi i zellshëm i përmasave të brendshme të mosmarrëveshjes së emrit nuk do të shpërblehen me fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Një vonesë do të shkaktonte kthimin pas të reformave në Maqedoninë e Veriut, duke dëmtuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Do të ndizte përsëri shovinizmin sllavo-maqedonas.

Më e keqja, kjo gjë do të zhgënjente shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë. Rreth 20 vite më parë, një kryengritje shqiptare shpërtheu në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur ndërhyrjen e shpejtë të NATO-s.

Një arsye pse situata në vijim u karakterizua nga vetëpërmbajtja ishte se udhëheqësit  kryesorë të shqiptarëve u kanë thënë atyre që të kenë besim tek BE-ja dhe integrimi, tek  e fundit ata e përshkruajnë si një garanci për të drejtat civile dhe një premtim për begati. Nëse dera e BE-së mbetet e mbyllur, kjo klasë moderatorësh rrezikon të humbasë besueshmërinë.

Por, kjo do të ishte gjithashtu një rrezik nëse, siç parashikojnë disa në rajon, BE hap negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, por e mban Shqipërinë në dhomën e pritjes. Një veprim i tillë do të ndizte flakët e nacionalizmit mbarëshqiptar, do nxiste politikanët dhe aktivistët në Shqipëri dhe Kosovë që të braktisnin shpresat e integrimit në BE dhe të përqafonin kauzën e një Shqipërie të Madhe më hapur se deri tani.

Si rrjedhojë, kjo do të dëmtonte edhe përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë dhe për të lehtësuar tensionet midis boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnje-Hercegovinë.

Nëse destabiliteti rajonal rritet për shkak të frikës së BE-së, atëherë do të krijohej një mjedis i favorshëm për ndërhyrje të huaj. Ballkani është një zonë konkurrence ndërmjet fuqive të jashtme, duke tërhequr Rusinë, Tuqinë dhe Kinën në një cep të Europës, nën ndikimin e madh të BE-së dhe SHBA-së që nga luftërat në ish-Jugosllavi.

Agjentët rusë qëndronin pas grushtit të dështuar të shtetit në Malin e Zi në vitin 2016 dhe ishin shumë aktivë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut në përpjekje për të sabotuar marrëveshjen për emrin. Turqia financon islamin politik në rajon. Ajo është aktive ndërmjet myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve etnikë në Kosovë dhe në vetë Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Kina po zgjeron ndikimin e saj me anë të investimeve të mëdha në kuadrin e iniciativës ”Një brez një rrugë”.

Për të frenuar ambiciet ruse dhe kineze, Uashingtoni është i interesuar të punojë me BE-në për mbrojtjen e interesave të Perëndimit. Brukseli duhet të shfrytëzojë fatin e mirë pasi  Ballkani është një nga rajonet e pakta në botë, i paprekur nga fërkimet midis SHBA-së dhe BE-së në politikën e jashtme nën drejtimin e Trump.

BE dhe SHBA u koordinuan shumë mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kritikët e zgjerimit kanë të drejtë kur thonë se cilësia e demokracisë dhe shtetit të së drejtës nuk është në përputhje me standardet e BE-së në vendet e Ballkanit.

Por, besimi i rajonit në BE dhe entuziazmi i popullit për reformat e vështira që kërkohen për anëtarësim do të ulen nëse takimi i muajit të ardhshëm nuk dërgon një sinjal pozitiv.

Një sinjal negativ do të shkaktonte kaos në gjithë Ballkanin dhe do të dëmtonte BE-në, fajtore edhe një herë për këtë dëmtim të paqëllimshëm të vetes”, përfundon ”Financial Times”./  /a.i/ /sm/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.