FRANCË – Arrestohet ish-lideri politik i ETA-s

MADRID, 16 maj /ATSH-AFP/ – Ish-lideri i organizatës separatiste baske, ETA, në arrati që prej vitit 2002, Jose Antonio Urrutikoetxea Bengoetxea u arrestua sot në mëngjes në Francë, njoftoi Ministria e Brendshme spanjolle.

”I njohur më tepër me emrin e Josu Ternera, ish-lideri politik i ETA-s, organizatës aktualisht e shpërbërë pas katër dekada akte dhune, u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm në Sallanches, në Alpet franceze, në një operacion të përbashkët me Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë së Brendshme franceze”, sqaron Ministria në një komunikatë.

ETA ka vrarë mbi 800 persona në një fushatë atentatesh për pavarësinë e shtetit bask.

Policia spanjolle e kishte shpallur në kërkim që nga viti 2002, në kohën që ai u fsheh për t’i shpëtuar hetimeve, për rolin e tij në një atentat kundër një kazerme të Gardës Civile në Saragosa, në veri të Spanjës, ku mbetën të vrarë 11 persona përfshirë pesë fëmijë, në 1987./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.