FOTOGALERI/ Homazhe për “Dëshmorin e Atdheut”, Klodian Tanushi

TIRANË, 16 maj/ATSH/ – Në nderim të majorit Klodian Tanushi, “Dëshmor i Ardheut”, i rënë në krye të detyrës gjatë misionit në Letoni po zhvillohen homazhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Familjarë, të afërm e miq, por edhe personalitete të larta shtetërore nderuan për herë të fundit majorin që vdiq në krye të detyrës.

Në këtë ceremoni morën pjesë një numër i madh ushtarakësh, të afërmish dhe figura politike. Deri tani kanë kryer homazhe në nderim të major Tanushit Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj; Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli; kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, etj. Ndërsa pritet të vijnë për të kryer homazhet edhe figura të tjera të shtetit shqiptar.

Në homazhet në nderim të major Tanushit kanë marrë pjesë edhe qytetarë të shumtë.
Presidenti Meta u shpreh pas homazheve se “rënia në krye të detyrës e Dëshmorit të Atdheut, major Klodian Tanushi la pas një dhimbje të madhe”.

“Me mirënjohje e respekt u përula sot me nderim të thellë para Tij, për sakrificën sublime dhe kontributin e çmuar që la pas, për patriotizmin, trimërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, që dëshmoi mbi 20 vite në Forcat e Armatosura, si dhe gjatë drejtimit të Kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni. Në këtë ditë të vështirë, ndaj dhimbjen e ngushëllimet më të sinqerta me nënën, babain, bashkëshorten, tre fëmijët e shtrenjtë dhe ushtarakët shqiptarë, për këtë humbje të pazëvendësueshme”, – thekson Meta.

Pranë arkivolit të ‘Dëshmorit të Atdheut’ ndodhen familjarët e tij së bashku me tre fëmijët e vegjël që la pas. Djali i tij i madh 14-vjeçar, djali tjetër 11-vjeçar dhe vajza më e vogël 1-vjeçare.

Një moment prekës ka qenë ardhja e rreshter Julian Xhevat Kapaj, i cili është i vetmi ushtarak që i  shpëtoi shpërthimit të minës në ngjarjen në Letoni. Kapaj mori pjesë në ceremoninë e homazheve të kolegut të tij të ndjerë Klodian Tanushi edhe pse me paterica.

Shqipëria është sot në zi kombëtare në nder të majorit Klodian Tanushi. Të gjithë flamujt e institucioneve sot janë në gjysmështizë. Klodian Tanushi humbi jetën më 10 maj në Letoni, si pasojë e aksidentit të ndodhur më 6 maj, ku humbi jetën edhe nëntetarja Zafire Hasanaj.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht../k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.