Foto/ Veliaj shtron Iftar për besimtarët myslimanë

TIRANË, 16 maj/ATSH/- Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbrëmjen e djeshme shtroi iftar për besimtarët myslimanë që agjërojnë në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Në darkën e përgatitur enkas, Veliaj u uroi besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë dhe falenderoi të gjithë përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman për punën e përditshme që bëjnë së bashku me institucionet sociale të bashkisë së Tiranës, për një qytet me sa më pak varfëri dhe sa më shumë mirëqenie.

Ai theksoi se Ramazani është jo vetëm një muaj i sakrificës, por mbi të gjitha edhe një muaj ku njerëzit duhet të tregojnë më shumë solidaritet. Ndaj, ai bëri të ditur se bashkia e Tiranës edhe në këtë muaj ka vendosur që të ofrojë darkën e Iftarit për të gjithë ata besimtarë që janë në pamundësi ekonomike.

Ndërkaq, Veliaj theksoi se ky muaj i shenjtë është edhe një periudhë reflektimi për këdo dhe për të qenë më miqësor dhe të dashur me njeri-tjetrin. “Ky është një vit që, si çdo vit në Shqipëri, ka edhe dramë, ka edhe dashuri, edhe inate, debate, dhe unë lus Zotin që kjo kohë e Ramazanit të jetë edhe pak ilaç për shoqërinë tonë. E kemi shumë kollaj të shkaktojmë plagë, por e kemi shumë të vështirë të mbyllim plagë, të themi më fal, të themi bravo të qoftë, të themi jam shumë krenar për ty, jam shumë mirënjohës për ty! Në këtë kohë kemi nevojë të reflektojmë pak, të ulim pak gjakrat, t’i vëmë pak fre gjuhës dhe të kuptojmë që në fund të ditës, Zoti na ka sjellë të përkohshëm dhe jemi në tokë të bëjmë mirë sa të mundemi. Ka shumë gjëra që na bashkojnë, krahasuar me ato që na ndajnë, që s’janë hiçgjë”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë së Tiranës bëri të ditur se  po ashtu se për ditën e Bajramit bashkia e Tiranës do të ofrojë parkimin falas për besimtarët myslimanë, që do të kryejnë faljen në sheshin “Skënderbej”, ndërsa shprehu besimin se Bajrami i vitit tjetër do t’i gjejë besimtarët e këtij komuniteti me një tempull të ri të besimit të tyre, xhaminë e re të Namazgjasë.

Nga ana e tij, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu shprehu falenderimin e tij për darkën e Iftarit të organizuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, ndërsa theksoi se muaji i Ramazanit duhet t’i shërbejë besimtarëve dhe gjithë shoqërisë për më shumë humanizëm dhe mirësi dhe për t’u larguar nga veset e këqija. z.tosku/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.