FOTO/ Kumbaro: Franca, partner strategjik për Shqipërinë

TIRANË, 16 maj /ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro zhvilloi një takimin të rëndësishëm në Francë, si pjesë e Komisionit për Integrimin Europian për hapjen e negociatave dhe për arritjet e Shqipërisë.

Deputetja Kumbaro zhvilloi takime shumë konstruktive me grupin parlamentar të miqësisë Francë-Shqipëri, dhe kryetaren Hugette Tiegnat, me Kryetaren e Komisionit për Europën të Asamblesë Nacionale, Sabine Thillaye, me Kryetarin e Komisionit për Europën në Senatin francez, Jean Bizet, por edhe me Drejtorin për Europën dhe për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Francës, Christophe Parisot dhe Thomas Bertin.

“Nuk mund të mos shpreh kënaqësinë që në çdo takim del në pah progresi i Shqipërisë në realizimin e detyrave që kemi marrë përsipër, sikurse dhe në vendosmërinë për të mos e ndalur reformën në drejtësi “mbresëlënëse” siç e quajtën ata, dhe unikale”, tha Kumbaro.

Ajo shtoi se “të ndërgjegjshëm për temperaturat politike europiane në pritje të rezultateve të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, e më pas të raportit final të Komisionit Europian, morëm sërish konfirmimin se Franca mbetet në të gjitha nivelet një partner strategjik i rëndësishëm për Ballkanin e posaçërisht për Shqipërinë dhe se perspektiva jonë është vetëm në BE, siç e konfirmoi Presidenti Macron ne Samitin e Berlinit”.

“Të ndjeshëm gjithashtu edhe ndaj problemeve të brendshme politike në vendet e BE e në Francë, e kush nuk i ka, se gjithkush ka një rol për të luajtur që ekstremizmat dhe populizmi të mos dominojë skenat politike dhe të mos helmojë opinionin publik europian. Kjo është sfida më e madhe e Europës së Bashkuar sot e cila, duam apo s’duam ne, ndikon në vendimmarrjet politike të zgjerimit”, u shpreh Kumbaro.

“Sfida jonë e radhës mbetet sigurimi i së drejtës së votës për çdo shqiptar në datën 30 qershor. Është e drejtë legjitime, në zgjedhje legjitime për një qeverisje vendore legjitime që do të garantohet nga një qeveri legjitime e një parlament legjitim”, është shprehur deputetja e Partisë Socialiste Mirela Kumbaro. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.