FOTO/ “Atje ku mali takon Hënën” premiera e fundjavës për publikun e vogël

TIRANË, 16 maj /ATSH/ – Teatri Metropol sjell në fundjavë për publikun e vogël premierën “Atje ku mali takon Hënën” nga Grace Lin. Aktorët kanë zhvilluar në sallën “Shekspir” provat e kësaj premiere, ku të vegjlit gjatë fundjavës do shijojnë këtë vepër e cila është e bazuar në një legjendë kineze.

Kjo vepër vjen me regji nga Joana Omeraj dhe nën interpretimin e aktorëve Amri Hasanlliu, Armela Demaj, Elona Hyseni, Erdet Miraka, Luisa Dinellari, Rexhina Mollaymeri, Roerd Toçe dhe Sara Koçi.

Kjo premierë është një ndërthurje midis realitetit dhe përrallës, ku në qendër është një vajzë e vogël e quajtur Minli dhe familja e saj e varfër. Gjithçka që Minli kishte ishin imazhet e përrallave që dëgjonte nga babai i saj dhe psherëtimat e nënës. Një ditë, në bazë të përrallave dhe takimit me Peshkun e Artë ajo vendos të ndryshojë fatin e varfër të shtëpisë dhe të nisë udhëtimin e saj për tek mali i pafund që të gjejë plakun e motshëm të Hënës.

Gjatë udhëtimit takon njerëz dhe krijesa të ndryshme të përrallave si për shembull Dragoin, i cili do të bëhet dhe shoku i saj më i mirë. Në fund, pas shumë peripecive dhe aventurash, Minli kupton se nuk kishte nevojë për asgjë tjetër, përveçse familjes së saj. Ajo niset për në shtëpi e lumtur që gjatë udhëtimit kishte ndihmuar jo vetëm shokun e saj dhe shumë të tjerë, por pa vetëdije kishte ndryshuar dhe fatin e shtëpisë së saj.

Shfaqja “Atje ku mali takon Hënën” duke nisur nga data 18 maj do të vijë për publikun e vogël çdo të shtunë dhe të dielë, ora 11:00 në Teatrin Metropol. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.