Fonde për bujqësinë, 8000 aplikime deri tani

TIRANË, 16 maj /ATSH/- Data 17 maj 2019, është afati i fundit për agrobizneset që aplikojnë për financime nga buxheti i shtetit për masat e investimeve në bujqësi, ndërsa afati për masat direkte ka përfunduar më 10 maj.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, për periudhën e hapjes së thirrjes, 23 prill-10 maj, kanë aplikuar mbi 8000 fermerë apo blegtorët për të përfituar financim nga masat e vogla direkte.

Fondi total i skemave të mbështetjes për bujqësinë 2019, është 5 milionë euro. Këto fonde do të përdoren kryesisht për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara, për dorëzimin e qumështit, si dhe për açuge dhe sardele të peshkuara, ndërsa një pjesë do të shkojë për mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

Ndërsa 1 milionë euro të tjera do të shkojnë si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”.

Pas mbylljes përfundimtare të aplikimeve më 17 maj, faza e përzgjedhjes së aplikantëve fitues pritet të zgjasë rreth dy javë. Ndërsa  afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit shtesë nga ana e fermerëve, siç janë pagesa e sigurimeve shoqërore etj, do të zgjasë deri më 7 qershor 2019, bën të ditur AZHBR. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.