Dhuna në imazhet nga Shqipëria, rrezikon negociatat

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Imazhi aktual i Shqipërisë e vështirëson shumë një vendim pozitiv pro negociatave. Në një intervistë ekskluzive me Deutsche Welle-n, komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn, thotë se imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Europian.

Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë”, tha Hahn.

I pyetur në ldhje me deklaratat e ministrit të Shtetit, Michael Roth i cili u shpreh pro hapjes së negociatave që në qershor, Hahn thotë se edhe ai është për këtë. “Edhe unë jam për këtë, sepse negociatat e anëtarësimit ofrojnë pikërisht mundësinë që të ndikohet mbi zhvillimin e vendit në aspektin evropian me katalogun e vlerave evropiane dhe prandaj është më mirë që të fillohet sa më shpejt”, tha ai.

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut mund të trajtohet më vete nga Shqipëria, Hahn tha: “Synimi im është që të dy këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare”.

“Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate”, sqaroi Hahn.

I pyetur për qëndrimin e grupit parlamentar të CDU/CSU-së se nuk do të arrijë të marrë një vendim që në qershor dhe se në fakt dëshiron ta shtyjë vendimin deri në shtator, Hahn iu përgjigj me një shprehje.

“Ne në Vjenë kemi një shprehje: Vetëm një letër dorëzohet. Asgjë tjetër. Prandaj edhe unë do të përpiqem deri në momentin e fundit, që të arrijmë një vendim. Ia vlen dhe ua kemi borxh partnerëve tanë që ta mbajmë fjalën, kur ata i përmbushin kushtet që ua kemi vendosur ne mbi bazën e vendimeve të marra njëzëri nga të gjitha vendet anëtare”, theksoi ai.

Më 29 maj do të dalin progres-raportet e të gjitha vendeve. Hahn theksoi disa rezultate.

“Shumë gjëra të mira, por edhe shumë gjëra kritike. Siç ndodh rëndom me progres-raporte. Ka përparime aty këtu, por ka edhe stanjacion. Për shembull, te bisedat mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë ngrirë prej disa muajsh. Shpresoj se tani do të shkrijnë, jo vetëm për shkak të stinës. Pra, për ta thënë më shkoqur: se së shpejti do të fillojnë bisedimet. Edhe këtu kemi të bëjmë me perspektivën evropiane për të dy vendet dhe një marrëveshje obliguese ndërmjet vendeve është në fund të fundit bazamenti për perspektivën europiane”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.