BSH: Zgjerimi i investimeve private po mbështet rritjen ekonomike

Banka e Shqipërisë: Aktiviteti ekonomik vijon rritjen në 3-mujorin e parë 2019

TIRANË, 16 maj /ATSH/- Banka e Shqipërisë parashikon rritje të ekonomisë në tremujorin e parë të vitit 2019, e ndikuar nga rritja e kapaciteteve të pashfrytëzuara në tregun e punës, të kapitalit dhe likuiditetit financiar që ka sistemi bankar.

Banka e Shqipërisë prezantoi të enjten raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas ekspertëve të Bankës Qendrore, rritja ekonomike në tremujorin e parë 2019 do të ndjekë ecurinë pozitive të tremujorit të katërt 2018. Spas të dhënave të tjera të INSTAT, në tremujorin e fundit 2018, rritja ekonomike ishte 3,1%. Në tremujorin e parë 2018 ekonomia u rrit me 4,42%, në të dytin me 4,32% dhe në të tretin me 4,48%, e nxitur kryesisht nga sektori energjetik.

Sipas raportit, zhvillimet ekonomike e financiare në vend mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik vijon të rritet, presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, ndërsa është zgjeruar kërkesa, i pasqyruar më tej në përmirësimin e aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzimin më të lartë të kapaciteteve prodhuese.

Banka Qendrore bën të ditur se, zhvillimet ekonomike në vend janë mbështetur, ndër të tjera, nga politika monetare lehtësuese. Niveli i normës bazë të interesit, orientimi i tregjeve mbi ecurinë e ardhshme të politikës monetare dhe injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit në tregun ndërbankar, kanë ulur kostot e financimit të sektorit privat, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve. Ritmi i kreditimit të sektorit privat është përmirësuar në tremujorin e parë të 2019, i mbështetur nga rritja e kredisë në lekë dhe nga rritja e kredisë për biznese. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.