Brahimaj: INSTAT ofron statistika të besueshme në shërbim të politikave të zhvillimit ekonomik

Prezantohet në Kuvend raporti vjetor i INSTAT për vitin 2018

TIRANË, 16 maj /ATSH/- INSTAT ofron statistika të besueshme në shërbim të hartimit të politikave të zhvillimit ekonomiko-social të vendit.

Kështu u shpreh sot, Delina Brahimaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT, gjatë prezantimit në seancën plenare të Kuvendit, të raportit vjetor të Institutit të Statistikave, për vitin 2018, ndërsa theksoi se “aktivitetet më të rëndësishme statistikore, gjatë vitit të kaluar janë: publikimi i statistikave të produktit të brendshëm bruto, vjetor dhe tremujor, publikimi i llogarisë së prodhimit dhe gjenerimit të të ardhurave sipas sektorëve institucionalë, prodhimi i indeksit të çmimeve të konsumit, statistikat e tregut të punës dhe të të ardhurave”.

Duke iu referuar statistikave të publikuara së fundi, ajo tha se, “Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2019, rezultoi 2,86 milionë banorë, ndërsa vendi ynë renditet ndër vendet me jetë gjatësi më lartë krahasur me vendet europiane. Në vitin 2018, shkalla e punësimit për
popullsinë 15-64 vjeç është 59,5%. Shkalla e papunësisë, në 2018, për popullsinë e grup moshës 15 vjeç e lart arriti në 12,3%, duke shënuar një ulje me 1,4 %, krahasuar me një vit më parë”.

“Shpenzimet mesatare të konsumit për vitin e kaluar janë rritur me 0.4%, duke iu afruar treguesve në vendet europiane”, – tha Brahimaj.

Drejtoresha e INSTAT ndër të tjera gjatë fjalsë së saj veçoi se, në misionin e INSTAT rëndësi marrin edhe statistikat në fushën sociale. “Prodhimi i treguesve të popullsisë, statistikat e treguesve të arsimit, shëndetësisë kurse në fushën e Bujqësisë dhe atë të Mjedisit: publikimi i treguesve të qumështit, i treguesve mbi sipërfaqet bujqësore të përdorur pyjet dhe kullotat”, – tha ajo.

Gjithashtu, Brahimaj, theksoi faktin që gjatë vitit 2018 INSTAT, ka rritur numrin e publikimeve nga 137 që ishin në vitin 2017, në 159, për vitin 2018, ndër to dymbëdhjetë të reja, të cilat nuk janë publikuar më parë, publikimin e statistikave te ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, publikimin e turizmit në shifra etj. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.