Bonusi për mjekët, shërbim i specializuar në spitalin rajonal të Fierit

TIRANË, 16 maj/ATSH/ – Banorët e Fierit nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për një konsultë neurologjike, pasi shërbimi shëndetësor tashmë ofrohet pranë vendbanimit të tyre.

Dr. Enver Halili është një prej 23 mjekëve me bonus që ofrojnë shërbim të specializuar në spitalet rajonale dhe bashkiake. Përmes një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, doktor Halili tregon se më herët ka punuar në qytetin e Korçës, ndërsa tanimë zgjodhi të shërbente në spitalin e Fierit.

“Kam lindur në qytetin e Librazhdit dhe 7 vjet kam punuar në qytetin e Korçës dhe më pas fillova specializimin afatgjatë në degën e neurologjisë. Pas përfundimit të specializimit pata një propozim nga Ministria e Shëndetësisë, që në kuadër të programit të bonusit për mjekët specialist në vendet ku ka mungesë dhe bëra zgjedhjen time për spitalin e Fierit”, tha ai. Më tej, ai rrëfen se kjo nismë motivon mjekët financiarisht.

“Janë ditët e para të punës dhe puna ka vajtur në rritje. Është një nismë e mirë sepse i motivon mjekët në punën e tyre por edhe nga ana financiare”.

Shërbimi i Neurologjisë ofrohet afër vendbanimit (në Fier) ndërsa bonusit për mjekët është  2.5 milionë lekë mbi pagën. /z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.