50 fotografi nga filmi “Skënderbeu” në Gjirokastër

TIRANË, 16 maj/ATSH/- Një ekspozitë mahnitëse me 50 fotografi të shkëputura nga filmi “Skënderbeu”, në skenat e tij të xhiruara në qytetin e Gjirokastrës u çel mbrëmjen e djeshme në teatrin “Zihni Sako” të qytetit të gurtë.

Ekspozita, e çelur në kuadër të projektit “Qytete me kala”, i kushtohet 65-vjetorit të filmit të parë shqiptar “Skënderbeu”.

“Qytete me kala” është një projekti i përbashkët mes Qendrës së Artit, bashkia Elbasan, Këshillit të Qarkut Elbasan dhe Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Ky projekt synon shkëmbimin e kulturave mes qyteteve.

Ekspozita u çel në 65-vjetorin e pjesëmarrjes në Festivalin e Kanës, të të parit film shqiptar. Në edicionin e 7-të festivalit ndërkombëtar të filmit në Kanë ai u vlerësua me çmimin e madh ndërkombëtar dhe çmimin “Filmi më i mirë me ngjyra”.

Gjirokastra për herë të parë u përdor si atelie e hapur filmike duke prezantuar këto fotografi me vlera artistike dhe historike.

Kjo ekspozitë u çel në muajin prill në kalanë e qytetit e Elbasanit, ku zgjoi interesin e artdashësve elbasanas./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.