Zgjedhjet vendore, Bushati: Do të kishim preferuar që përballë të kishim kundërshtarë

TIRANË, 15 maj /ATSH-Maela Marini/ – “Ajo që po bën opozita nuk është zgjedhja jonë, pasi ne do të kishim preferuar që përballë të kishim kundërshtarë”, – deklaroi sot nga Shkodra, deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati.

Pas prezantimit të kandidatit të PS-së për bashkinë Shkodër, Valdrin Pjetri, Bushati u ndal te situata politike në vend.

Ai tha se vendimi i opozitës nuk është zgjedhje e mazhorancës, e cila do kishte preferuar të kishte përballë një kundërshtar.

“Lidhur me këtë që po bën opozita kjo nuk është zgjedhja jonë. Do kishim preferuar që përballë të kishim kundërshtar, procesi deri më tani ka qenë i hapur. Ne jemi përgatitur me takimet që kemi bërë dhe mendoj që kur vjen puna për Shkodrën kemi shumë se çfarë të propozojmë dhe aq më tepër duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet bashkia Shkodër”, – tha ai.

Bushati tha po ashtu se “nuk do të reshtim dhe do t’i bëjmë thirrje deri ditën e fundit qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor që të mbështesin Valdrinin dhe ekipin tonë të Partisë Socialiste”.

Lidhur me kandidaturën e Valdrin Pjetrit në Shkodër, Bushati tha se “ai është një djalë Shkodre dhe shërbyes publik në disa institucione të vendit”.

“Jam i bindur se energjitë dhe eksperienca do të kombinohen me prejardhjen familjare dhe me mbështetjen e PS-së dhe progresistëve këtu në Shkodër, ku do të ofrojmë një vizion të ri për zhvillimin e qytetit. Ne prezantuam edhe listën finale të anëtarëve të këshillit bashkiak ku kemi barazi të plotë gjinore dhe një listë të larmishme sa i takon personaliteteve, profesioneve dhe kontributit që kanë për bashkinë e Shkodrës”, – tha Bushati.

Ndërsa, Pjetri e konsideroi kandidimin e tij privilegj dhe përgjegjësi për të bërë më të mirën për këtë qytet.

Ai tha se do të zhvillojë takime me grupe të ndryshme të interesit për mënyrën se si ata duan ta kenë qytetin nesër.

Të gjitha këto, tha Pjetri, “do t’i reflektojmë në një program të saktë, të detajuar dhe me afate dhe plane konkrete, që do të prezantohet gjatë majit dhe qershorit”. “Gjatë ditëve në vijim do të shpalosim programin tonë për një qytet të lumtur”, – tha ai.

Bushati zhvilloi sot edhe një mbledhje të zgjeruar të asamblesë së bashkisë së Vaut të Dejës, ku u zyrtarizua kandidati i PS-së për këtë bashki, Mark Babani. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.