Zgjedhjet e 30 qershorit, Bare: Askush nuk do cenojë të drejtën e qytetarëve për të votuar

TIRANË, 15 maj /ATSH-A.ALLA/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare i ftuar në një studio televizive garantoi qytetarët që pavarësisht atyre çka pretendon opozita për  zgjedhjet e 30 qershorit, askush nuk do t’i largojë votuesit nga e drejta e tyre legjitime që është vota.

“Ka një ligj që është miratuar nga Berisha dhe ne e kemi votuar kur ishim në opozitë lidhur me personat që ndërhyjnë dhe shkaktojnë dhunë në qendrat e votimit. Ky është një ligj ku Kodi Penal parashikon dënimet përkatëse”, – tha Bare.

Ai shtoi se, “ka rreth 6 mijë qendra votimi në gjithë Shqipërinë, kapacitetet njerëzore të Bashës janë të pamundura, nëse do kërkonte të ushtronte dhunë. Kjo mund të ndodhë në disa qendra votimi, po kjo nuk ka për të ndodhur në shumicën dërrmuese të qendrave të votimit”.

“Kjo për arsye se ligji do i ndalojë, rendi do veprojë, populli nuk është me ta dhe së fundmi, vetë votuesit që do shkojnë atje nuk do lejojnë që të manipulohen dhe të pengohen nga kjo e drejtë legjitime, e cila është themeli i demokracisë”, – përfundoi deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.