Tirana nën makthin e luftës për mbijetesë, Mema “shkund” ekipin

TIRANË, 15 maj /ATSH- A. Fortuzi/ – Humbja ndaj “Partizanit” ka ndërlikuar sërish situatën te bardheblutë kryeqytetas, të cilët tashmë janë vetëm 2 pikë larg zonës së rënies nga kategoria, që mbahet nga “Kastrioti”, skuadër të cilën “Tirana” do ta sfidojë në “Selman Stermasi” këtë të shtunë pasdite, në kuadër të javës së 34-t.

Trajneri i Tiranës Ardian Mema ka thirrur të martën skuadrën në një mbledhje për të analizuar situatën. Mbledhja ka zgjatur rreth 40 minuta ku grupi ka analizuar shkaqet e momentit delikat që po përjeton. Mema ka kërkuar nga skuadra bashkim dhe lënien mënjanë të problematikave të caktuara dhe fokusimi te fanella dhe te rëndësia e marrjes së tri pikëve në përballjen e të shtunës ndaj krutanëve.

Rruga e bardhebluve drejt mbijetesës kalon nga “Kastrioti” për të vijuar në Laç, ndaj skuadrës kurbinase dhe për tu mbyllur në kryeqytet ndaj “Flamurtarit”.

Nga krahu tjetër, krutanët pas përballjes në Tiranë ndaj bardhebluve presin në shtëpi “Teutën” e Durrësit dhe në javën e fundit, “Kastrioti” udhëton drejt Kukësit, ku do përballet me nënkampionët e vendit./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.