Studentët e UBT-së, mundësi punësimi në 46 biznese

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – 46 kompani të ndryshme biznesi janë bërë pjesë e Panairit të 6 të Karrierës, të zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke i dhënë mundësi  studentëve të këtij universiteti të lidhin kontakte për punësim.

Zv.ministri i Arsimit, Redi Shtino, vuri theksin tek fokusi i ministrisë në krijimin e mundësive përmes projekteve të ndryshme për t’i bërë diplomat sa më të vlefshme për tregun e punës.

Ndërsa rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Bahri Musabelliu, ftoi studentët ta shfrytëzojnë këtë mundësi për punësim, ndërsa për biznesit siç tha ai, “ky aktivitet i shërben për të identifikuar më të mirët dhe për t’i tërhequr më pas pranë kompanive të tyre”.

Në kuadër të Paktit për Universitetin, qeveria ka nxitur për herë të parë modelin e ri të punësimit për të gjithë studentët që mbarojnë ciklet bachelor dhe master.

Krahas punësimit të studentëve ekselentë në vendet vakante të Administratës Publike, qeveria ka vënë në funksionim dhe eficiencë të plotë, mekanizmin e punësimit të studentëve përmes Zyrave të Punës që operojnë në të gjithë vendin.

Përparësi ka marrë edhe punësimi i studentëve që përfundojnë studimet në shkollat profesionale, ndërkohë që politikat stimuluese të qeverisë kanë vënë në lëvizje dhe biznesin privat i cili po gjeneron punësim real të studentëve në sektorë të ndryshëm, krahas institucioneve private siç janë ato në sistemin bankar, mikrofinanciar, zyrat e kontabilitetit etj. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.