Shqiptarët e ndaluar në Holandë më pak se çdo kombësi

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Së fundmi, nga Holanda ka pasur një propozim për rivendosjen e vizave me Shqipërinë. “Top Story” sjell në një reportazh nga Roterdami, qyteti më i madh port në jug të Holandës, aty ku një parti lokale pretendon se ishte e para që propozoi rivendosjen e vizave për shqiptarët, ngjyrimet e këtij propozimi.

Holanda ka një traditë liderësh populistë që prej Pim Fortuyn, ish lideri i ekstremit të djathtë që u vra në vitin 2002. Ishte pikërisht ai që krijoi Leefbar Netherlands, partinë mëmë të Leefbar Rotterdam, politikani i së cilës nuk e mohon aspak se nuk duan që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së.

“Shqiptarët kanë probleme me drogën, me kokainën, me pastrimin e parave dhe me kërkesat për azil. Njerëzit në Shqipëri janë të sigurt, ndaj s’kanë arsye. Ka shumë probleme me shqiptarët. Ka shumë probleme dhe në Shqipëri. Nuk duam në këtë çast që Shqipëria të bëhet pjesë e Be-së”, Michel Van Elck, Këshilltar Bashkiak, Rotterdam.

Shqiptarët kriminelë?! Ambasadori Bosch: Është i paargumentuar!

Në qytetin e Roterdamit situata është tërësisht ndryshe nga panorama që të shfaqin këta deputetë ekstremistë. Shumë pak njerëz i njohin shqiptarët, të cilët përbëjnë më pak se 0,0001% të popullsisë prej afro 17 milionë banorë të Holandës ku gati 20% janë me origjinë jo holandeze.

Por duket se ajo që e ka rritur edhe më shumë në imazhin negativ të shqiptarëve është edhe media holandeze. Në 16 prill, pikërisht në ditën e votimit në parlamentin holandez të mocionit për rivendosjen e vizave, një nga gazetat më të mëdha në vend, NRC publikoi një artikull të gjatë të titulluar “Shqiptarët e padukshëm ngjiten në tregtinë e kokainës” sipas të cilit shqiptarët kanë ngritur një perandori droge në Holandë.

“Një gjë e keqe ndodhi të martën në mëngjes, fiks kur do të bëhej votimi. Gazeta kryesore në Holandë, si të thuash “Frankfurt Algemajner”, nxori një artikull shumë negativ kundër Shqipërisë. Ishte një intervistë me një prokuror në Amsterdam, i cili, për mendimin tim, po fliste budallallëqe. Por kjo s’është asgjë. Por e dhanë një përgjigje dhe vetë, duke thënë se sa të këqij janë shqiptarët. Thoshin që shqiptarët janë popull shumë të dhunshëm. Pastaj vazhdonin me pesë pika për të vërtetuar atë që do të thoshin, por nuk është e vërtetë. Thoshin që një libër shkolle të viteve 1905 i përshkruante shqiptarët si njerëz malesh shumë të dhunshëm. Thoshin që Shqipëria renditet e para për dhunën në familje, gjë që nuk është e vërtetë. Thoshte që kanë numrin më të lartë të vrasjeve. Që nuk është e vërtetë. Dhe mund të vazhdosh me një listë të gjatë gjërash që nuk janë të vërteta”, tha Robert Bosch, ish Ambasadori i OSBE-së në Tiranë.

Bosch: Mediet holandeze e kanë nxirë Shqipërinë pa fakte

Ish-ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch ishte nga ata holandezë që u çudit me miratimin e mocionit për rikthimin e vizave.

Bosch ishte përpjekur që të bindte disa prej partive në Dhomën e Ulët të parlamentit që ta kundërshtonin, pasi sipas tij, bazohet në fakte tërësisht të gabuara.

Për të artikulli i publikuar në NRC ndikoi jashtëzakonisht shumë në propagandën anti shqiptare siç kanë bërë edhe disa gazeta të tjera në vend.

“Nëse je një deputet normal në Holandë, sigurisht që mund të trembesh.I besojnë më shumë gazetës sepse nuk duan të shihen si të dobët kundër krimit. Prandaj njerëzit që nuk ishin dhe aq të bindur për ta votuar, votuan gjithsesi. Por gazeta të tjera, sidomos Telegraf, ka bërë shumë propagandë kundër shqiptarëve, prej kohësh”, tha ish ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch.

Vugt, gazetar i kronikës prej më shumë se 20 vitesh, mendon se shqiptarët të cilët prej disa vitesh kanë qenë aktivë në sektorin e prostitucionit, tashmë kanë rritur ndikimin e tyre në trafikun e kokainës, por kurrsesi nuk mund të konsiderohen si grupi më i madh në këtë drejtim.

“Grupet shqiptare nuk janë dhe aq të mëdhenj, por po rriten në Amsterdam. Ky është rreziku. Shumica e trafikut të kokainës është në duart e grupeve holandeze me origjinë marokene Të cilët i kanë gjyshërit nga Maroku. Ata kanë kontrollin më të madh tani dhe krijojnë problemet më të mëdha. Për shkak të vrasjeve, vrasin njëri-tjetrin. Këtu, në Amsterdam. Ka pasur vrasje mes njëri-tjetrit. Ideja është që shqiptarët e shohin si një mundësi të mirë. Sepse grupet e tjera janë në tension të lartë me policinë, për shkak të vrasjeve. Mendoj se janë një nga faktorët kryesorë por nuk janë të parët”, tha Paul Vugt.

E megjithë etiketimet në media kur sheh statistikat zyrtare të Byrosë Qendrore të Statistikave në Holandë, numri i shqiptarëve të ndaluar nga policia është shumë më i ulët në krahasim me kombësitë e tjera.

Madje shqiptarët nuk hyjnë as në 10-shen e kombësive me numrin më të lartë të arrestimeve.  Dhe nëse vini re, gjermanët që konsiderohen si një vend me institucione të forta, kanë një numër më të madh krimesh në Holandë.

“Statistikat holandeze tregojnë që krimi nga shqiptarët është vetëm 0.2%. Edhe më pak se 0.2%. Pra, nuk është asgjë me rëndësi. Dhe nuk janë as vetëm krimet e rënda, por të gjitha, edhe të voglat. Nga këto 0.2%, krimet e rënda duhet të jenë edhe më pak. Sigurisht që është problem, por problem shumë i vogël. Po të shohësh kombësitë e para në listë, shqiptarët nuk dalin fare aty. Si mund të thuash që po destabilizojnë vendin, pa u bazuar në asgjë”, tha ish-ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.