Shkodër/ Përurohet Qendra Multifunksionale “Për Familjen”

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Në Njësinë Administrative Rrethina në Shkodër u përurua sot Qendra Multifunksionale “Për Familjen”, në vazhdim të aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të Javës së Familjes.

Dikur shkolla fillore e Shtojit të Vjetër, një ndërtesë plotësisht e amortizuar dhe jashtë funksionit, tani është një nga asetet e radhës që bashkia e Shkodrës e transformon plotësisht dhe e vë në shërbim të komunitetit.

Në këtë qendër do të ofrohen shërbime si informim, orientim, këshillim, mbrojtja e fëmijëve, klasa prindërimi, grupe të të rinjve, vizita në familje, referim dhe menaxhim rasti, fuqizim ekonomik, ndërmjetësim për punësim, riintegrimi në shkollë, mbështetje pas-shkollore, aktivitete argëtuese, lojëra psikosociale, etj.

Projekti i Bashkisë së Shkodrës u zhvillua në bashkëpunim me organizatën partnere “World Vision” dhe Qendra Multifunksionale do të jetë në shërbim të banorëve.

Përveç shërbimeve sociale, në Qendër janë krijuar mjediset e përshtatshme për qendrën shëndetësore, duke krijuar kushte optimale për “bluzat e bardha”./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.