Roth: Shqipëria i përmbushi detyrat, BE të çelë negociatat

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Pavarësisht protestave të opozitës, qeveria gjermane është për hapjen sa më parë të bisedimeve për Shqipërinë, konfirmoi në një intervistë për “DW” ministri i shtetit Michael Roth, pas takimit me ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë.

I pyetur nëse do të mbahet premtimi që iu dha Shqipërisë për çeljen e negociatave në qershor 2019 nëse do të plotësonte disa kushte, Roth tha se, “ne vazhdojmë ta mbështesim perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne duhet t’i mbajmë premtimet tona. Një vit më parë, në qershor, i dhamë Shqipërisë disa detyra me vete dhe kam përshtypjen se Shqipëria i ka përmbushur këto detyra: reforma ligjore, lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës së drogës, ndërtimi i një administrate moderne. Në këto fusha janë bërë përparime të mëdha. Unë madje shkoj aq larg, sa të them se ndoshta nuk ka vend që të ketë përmbushur kaq shumë detyra para çeljes së negociatave të anëtarësimit. Sigurisht ka akoma shumë për të bërë, por jam optimist, se mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur, mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

I pyetur nëse do të luajnë apo jo rol protestat të cilat, kanë pasur edhe përshkallëzime të dhunshme, Roth tha se, “kritika është normale në çdo demokraci të gjallë, por dhuna, si mjet i demokracisë apo i politikës, është absolutisht e papranueshme. Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vend në Shqipëri dhe gjithashtu për përgjegjësinë e opozitës për dhunën. Pres që opozita të reagojë drejt në përgjegjësinë e saj për demokraci. Nuk është aspak e qartë për mua se si ajo mund të shpallë një bojkot parlamentar, se si bojkoton zgjedhjet lokale. Parlamenti është pikërisht vendi ku duhen bërë debatet kritike. Nuk mund t’i ikësh kësaj përgjegjësie. Kam përshtypjen se opozita sikur nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese të papërgjegjshme në kurriz të popullit të Shqipërisë. Kjo nuk është e pranueshme! Dhe përsëris: Nëse qytetarët kritikojnë qeverinë e tyre, ose parlamentarët, kjo duhet marrë seriozisht. Askush prej nesh nuk po e zbukuron situatën në Shqipëri. Por këto shpërthime të dhunës nuk duhet të bëhen normalitet, as në Shqipëri e as në të gjithë Europën”.

I pyetur nëse i ka kërkuar ministrit në detyrë Cakaj që rastet e abuzimit për blerje votash të ndiqen penalisht, Roth theksoi se, “kur unë sikurse edhe qeveria ime jemi për sundimin e ligjit, ky sundim i ligjit duhet gjithashtu të zbatohet në praktikë. Kjo nuk ka të bëjë fare me presion. Por, i takon drejtësisë shqiptare të marrë përgjegjësinë dhe të sqarojë akuzat. Kjo është një pritshmëri e qartë, të cilën natyrisht e kemi ndaj Shqipërisë, por për këtë nuk është përgjegjëse qeveria shqiptare, por kryesisht drejtësia shqiptare, dhe kjo është e pavarur. Kjo do të thotë se këtu është vështirë të ndërhyhet nga jashtë”.

I pyetur nëse Shqipëria së shpejti mund të fillojë bisedimet e anëtarësimit, Roth tha se, “unë do të angazhohem që të çelen negociatat e anëtarësimit. Sepse unë besoj se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, Bashkimi Europian duhet t’i qëndrojë angazhimeve të veta. Por kjo nuk është e vetëkuptueshme. Ne të gjithë e dimë për diskutimet kontroverse. Por duhet të jemi të drejtë dhe të vendosim mbi bazën e fakteve dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor janë me interes të madh për Gjermaninë, por edhe për Bashkimin Europian”. /gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.