Rehabilitohet qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, ambasadori Sattler: Ndryshim i mrekullueshëm

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, 30 kilometra larg qytetit të Vlorës, tashmë ka një pamje të rehabilituar dhe një panoramë të mrekullueshme si për banorët por dhe për turistët që vizitojnë këtë fshat mikpritës dhe me tradita.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inaugurimit të qendrës së rehabilituar të fshatit Dukat u shpreh se, “inaugurimi i sotëm do jetë fillimi i stadeve të tjera të rehabilitimit dhe të zonave të tjera në qendër të fshatit Dukat duke patur si objektiv kryesor kullën e Dervish Aliut. Ky investim është absolutisht treguesi i madh i bashkëpunimit që kurorëzohet me restaurimin e qendrës së fshatit Dukat dhe të simbolit të banorëve të kësaj zone të shkollës së kuqe”.

“Fillesa e këtij investimi është hapi i parë i investimeve të mëtejshme që do dëshiroja të kenë drejtimin e duhur në rikonstruksionin e kullës së Dervish Aliut, është nga ato objekte kulturore që ka trashëguar zona e Dukatit dhe bënë krenar çdo qytetar që viziton këtë kullë. Me këtë investim ne qendër të Dukatit promovojmë dhe turizmin malor që është pjesë integrale e natyrës së mrekullueshme të qytetit të Vlorës. Me këtë investim po japim shembullin e ri që të gjithë ata që janë larguar nga kjo zonë dhe kanë shtëpitë e braktisura të rikthehen në Dukat  për ti shndërruar ato në bujtina”, u shpreh kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli.

Gjithashtu i pranishëm në këtë inaugurim ishte dhe Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler i cili u shpreh se, “e bukura e Dukatit nuk janë vetëm malet pasi ju keni rivierën  dhe kulturën. Jam i lumtur që jam këtu në Dukat për të dytën herë dhe jam i impresionuar për ndryshimet që kanë ndodhur dhe restaurimi i qendrës së fshatit Dukat është i mrekullueshëm”.

“Është e rëndësishme që investimet mos të kryhen vetëm në qytetet  e mëdha por dhe në zona të tjera siç është kjo zonë këtu. Investimet në këto zona i kthejnë në vende atraktive këto zona si për banorët por dhe për të rinjtë duke i ofruar një cilësi të mirë jetese, dhe ata që janë larguar të kthehen pasi këto vende si Dukati kanë shpresë”, përfundoi Sattler.

Fshati Dukat ndodhet në jug të Gjirit të Pashalimanit dhe kufizohet në verilindje me Tragjasin, në lindje me Tërbaçin, në jug me Palasën, e në perëndim laget nga deti Adriatik e ai Jon. Ky fshat piktoresk është i vendosur në këmbët e maleve Paliske e Qore, në një grykë të thellë e të thyer, me përrenj të shumtë. Ai ngelet në shekuj kështjellë e pathyeshme natyrore.

Emrin “Dukat” ky fshat e gëzon nga viti 220 para erës sonë. Aty është zbuluar një varrezë ilire e mijëvjeçarit III para Krishtit. Më vitin 48 pas Krishtit, pikërisht aty, Jul Cezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun. Më 29 maj 1920 në Dukat u mbajt Kuvendi i Barçallasë që vendosi për të filluar luftën kundër pushtuesve italianë.

Dukati i Ri ose siç quhet ndryshe Dukat-Fushë u ndërtua pas vitit 1945 në të zbritur të grykës së Shën Thanasit, në të majtë të lumit të Dukatit e të rrugës automobilistike Vlorë – Himarë, nën këmbët e maleve të vetëtimës, ose siç quhet sot mali i Rimit. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.