Përfshirja e të rinjve në qytetarinë aktive, Gjermania 350 mijë euro për Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Ambasadorja gjermane në Shqipëri Susanne Schütz dhe sekretari i Përgjithshëm i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO),  Đuro Blanuša, nënshkruan sot kontratën e  projektit njëvjeçar “Bashkëpunimi Rinor shkollë më shkollë të Nismës për Ballkanin Perëndimor 6 (WB6)”.

Për financimin e këtij projekti Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë ka alokuar një fond në vlerën e 350.000 eurove. Projekti do të implementohet nga RYCO dhe ka për qëllim rritjen e mundësive për të rinjtë për t‘u përfshirë në aktivitete që krijojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim në aspektet e qytetarisë aktive, sociale, kulturore dhe sportive.

“Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, brezi i ri, me kuriozitetin e tij dhe mendjen e  hapur, luan një rol të rëndësishëm në kapërcimin e hijeve të së kaluarës. Ne jemi të bindur se duke sjellë bashkë të rinj nga vende të ndryshme të këtij rajoni do të nxitej shkëmbimi rreth të shkuarës ndarëse dhe do të kontribuohej në krijimin e një narrative për një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian”, tha në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës, ambasadorja Schütz.

“Investimi në programet e shkëmbimit të të rinjve është një motor i fuqishëm drejt forcimit të demokracive dhe qëndrueshmërisë së agjendës së konektivitetit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. RYCO vetë është themeluar nën shembullin e përsosur të Zyrës

Franko-Gjermane për Rininë, një organizatë që promovon dhe zbaton projekte me fokus mobilitetin e të rinjve prej më shumë se 50 vjetësh”, tha sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s.

Projekti “Bashkëpunimi rinor shkollë më shkollë në kuadër të Nismës për Ballkanin Perëndimor 6“ ka për qëllim rritjen e mundësive për të rinjtë për t‘u përfshirë në aktivitete që krijojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim në aspektet e qytetarisë aktive, sociale, kulturore dhe sportive. Projekti do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit rajonal, zhvillimin dhe lehtësimin e lëvizshmërisë së të rinjve dhe aktivizmin në Ballkanin Perëndimor.

Projektet që do të financohen brenda këtij projekti, do të mundësojnë zhvillimin e proceseve të drejtuara nga vetë të rinjtë në pjesën ndërkulturore dhe pajtimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe zhvillimin e kapitalit social midis të rinjve duke rritur kapacitetet e të rinjve dhe të aktorëve që punojnë me to.

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) është një organizatë ndërqeveritare krijuar midis gjashtë qeverive të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë me qëllim promovimin e bashkëpunimit dhe pajtimit midis të rinjve të rajonit nëpërmjet shkëmbimit të tyre.

Marrëveshja për krijimin e RYCO-s është nënshkruar nga gjashtë kryeministrat gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Paris, më 4 Korrik 2016. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.