Përcaktohet struktura dhe organika e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme funksionimin dhe përcaktimin e rregullimeve specifike lidhur me strukturën dhe organikën e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve.

Vendimi u mor në mbështetje të Kushtetutës, ligjit “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur” dhe të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.

Këshilli i Ministrave vendosi dhe dispozita të përgjithshme si, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, si person juridik publik, në varësi të ministrit përgjegjës për drejtësinë, me seli në Tiranë. Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve ka si mision kryesor realizimin e veprimtarisë rehabilituese dhe riintegruese nëpërmjet mbikëqyrjes dhe mbrojtjes të të miturit/të rinjve pas kryerjes së dënimit.. Gjithashtu qendra si fushë përgjegjësie ka parandalimin e krimeve të të miturve dhe të rinjve.

Kjo qendër bashkëpunon me Shërbimin e Provës dhe me administratën e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale për të mitur në përgatitjen e dokumentit për lirimin me kusht, vlerësimin e rrezikut familjar dhe shoqëror/mjedisor dhe të nevojave të të miturit jashtë IEVP-së, ndjekjen, mbikëqyrjen dhe ofrimin e mbështetjes psikologjike, arsimore, shëndetësore dhe situatën sociale të të miturit pas dënimit.

Gjithashtu kjo qendër bashkëpunon me Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijës, sipas përcaktimeve të ligjit, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, për miratimin e planit të rehabilitimit dhe të rishoqërizimit të të miturit, koordinimin e masave që do të merren për zbatimin e planit të rehabilitimit dhe të rishoqërizimit si dhe mbikëqyrjen e ecurisë së zbatimit të planit për rishoqërizimin e të miturit.

Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /a.a/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.