Miratohet statusi i anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi statusin e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës.

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe ushtrimit të aktiviteteve të tyre, gëzojnë status të veçantë. Ata, në funksion të përmbushjes së detyrave për mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, kanë të përcaktuara disa të drejta.

Ata kanë të drejtë të kërkojnë informacion me interes në fushën e përgjegjësisë që mbulojnë nga institucionet shtetërore përgjegjëse; të propozojnë akte administrative pranë institucioneve shtetërore që lidhen me interesat e komuniteteve shqiptare në diasporë; të marrin pjesë në seanca dëgjimore në Komitetin Shtetëror të Diasporës ose komisionet e Kuvendit të Shqipërisë për çështje që kanë të bëjnë me interesat e diasporës shqiptare.

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës gëzojnë të drejtën e trajtimit me prioritet të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë nga ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Shqipërisë si dhe nga drejtuesit e misioneve diplomatike në vendet përkatëse, sa herë që është e domosdoshme për mbarëvajtjen e punës.

Përgjegjësitë profesionale të përdorimit të fondeve dhe ato administrative për Këshillin do të ushtrohen nga Agjencia Kombëtare e Diasporës. Agjencia Kombëtare e Diasporës kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Koordinues të Diasporës shqiptare.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.