Miratohet nisja e procedurave të privatizimit të pasurive të ish-Rezervave të Shtetit në Labinot

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme dhënien e miratimit për fillimin e procedurave të privatizimit të pasurive, “Objekte dhe truall të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit Labinot, Elbasan”.

Vendimi u mor në mbështetje të Kushtetutës dhe të aktit normativ, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve”, ligjit “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave.

Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e miratimit për fillimin e procedurave të privatizimit të pasurive shtetërore të dhëna me qira me kontratën me çmimin 1 euro/kontrata, njësi në administrim të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit, Labinot, Elbasan.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.