Meta: Kriza politike po sjell pasoja të rënda në ekonomi, reflektoni urgjentisht

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta është shprehur se, “kriza politike ku ndodhet vendi, po sjell pasoja tepër të rënda edhe në ekonomi”.

Sipas tij, “efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe operatorët e cilësojnë situatën dramatike”.

Edhe për këtë arsye, ka theksuar Meta, “ia vlen të reflektohet urgjentisht, përndryshe do të goditet rëndë turizmi dhe gjithë familjet shqiptare që mbështesin mirëqenien e tyre në këtë sektor kyç të ekonomisë sonë”.

Këto deklarata Meta i ka bërë gjatë një vizite në Skrapar për nisjen e sezonit të ri turistik.

“Me urimin për një sezon të mbarë e të suksesshëm turistik, jam i bindur se Skrapari, falë atraksioneve të jashtëzakonshme që ofron, mikpritjen, traditat e kulinarinë e veçantë, shumë shpejt do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në të gjithë rajonin”, – është shprehur Meta. /gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.