Mbi 780 fotografi të rralla të Shqipërisë në vitet 1928-1931, për herë të parë në COD

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Mbi 780 fotografi të digjitalizuara të arkivit personal të fotografëve italianë Pietro dhe Larissa Quaroni të Shqipërisë në vitet 1928-1931 do të prezantohen për herë të parë në Tiranë në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).

Ekspozita e titulluar “Arkivi Fotografik i Pietro dhe Larissa Quaroni “Shqipëria 1928 -1931” do të hapet më 17 maj nga Ambasada Italiane në Shqipëri dhe Instituti Italian i Kulturës.

Fotografitë janë realizuar nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën Italiane në Shqipëri. Të pabotuara më parë, 86 fotografitë i përkasin periudhës 1928-1931, shoqëruar nga dy dokumentarë të periudhës së asaj kohe.

Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij arkivi familja Quaroni i ka dhuruar shtetit shqiptar, në formë digjitale, të gjithë arkivën e familjes së saj, me 780 fotografi.

Të gjitha fotot e digjitalizuara, mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, po në këtë ekspozitë. Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë Arkiva Fotografike Quaroni, Albania 1928–1931 të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj.

Vizitorët do të zbulojnë ngjarje, njerëz, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat e Shqipërisë, ashtu si janë vëzhguar dhe përjetuar nga Pietro dhe Larissa Quaroni.

Ekspozita përcjell një kontekst me interes të madh historik dhe social: imazhe befasuese dhe origjinale, një përshkrim i rrallë dhe unik, veçanërisht i figurave politike dhe i personazheve që kanë dominuar skenën shqiptare të viteve ’20 dhe ’30.

Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni-t, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj, vjen në Shqipëri si bashkëshortja e Ambasadorit të Spanjës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në COD deri më 29 qershor 2019. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.