Lehtësohen procedurat për diabetikët, Manastirliu: Konsulta “online” për insulinën me rimbursim

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Pacientët që marrin me rimbursim mbi 8 pena insulinë në muaj nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për të përfituar rimbursimin falas, sepse nëpërmjet Telemjekësisë, konsultat kryhet në spitalet rajonale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ndoqi nga afër konsultat online të zhvilluara në qendrën e Telemjekësisë në QSUT.

“Nëse më parë pacientit i duhej të vinte nga Korça apo Shkodra në Tiranë për të kryer konsultën e specializuar për vijimin apo ndryshimin e trajtimit me insulinë nga 8 deri në 12 pena në QSUT, duke shpenzuar para dhe kohë, falë këtij lehtësimi procedurial, pacienti e merr trajtimin në kohë në spitalin rajonal, afër vendbanimit nëpërmjet konsultës online nga mjeku specialist në QSUT, pa qenë nevoja për t’u paraqitur fizikisht”, – tha Manastirliu.

Manastirliu theksoi se konsultat online mbi trajtimin terapeutik dhe sasinë e penave të insulinës nga 8 deri në 12 pena në muaj, që kryhen nga mjeku endokrinolog në QSUT dhe mjeku endokrinolog në spitalet rajonale, nëpërmjet Telemjekësisë, në prezencën e pacientit, i shërbejnë edhe edukimit në vazhdim dhe trajnimit të mjekëve në spitalet rajonale.

Mbi 340 pacientë e kanë marrë shërbimin afër vendbanimit, pa pasur nevojë të regjistrojnë datën për konsultë dhe më pas të merrnin firmën dhe vulën në QSUT për të përfituar penat e insulinës falas, kur bëhej fjalë për mbi 8 pena insuline.

Janë mbi 32 mijë pacientë që trajtohen me insulinë në rang vendi, e cila rimbursohet 100% nga shteti./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.