Griezmann zyrtarizon largimin nga “Atletiko Madrid”

TIRANË, 15 maj /ATSH- A. Fortuzi/ – Antoine Griezmann nuk do të jetë më një futbollist i “Atletiko Madrid”. Sulmuesi ka zyrtarizuar largimin e tij nga kryeqyteti spanjoll për të veshur një fanellë tjetër dhe me shumë mundësi e ardhmja e tij do të jetë te Barcelona.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi bardhekuq, që përmes një videomesazhi njofton se Griezmann ka vendosur të largohet nga klubi gjatë merkatos së verës. Francezi ka lajmëruar për vendimin e tij.

Sipas portalit italian, “Sportmediaset”, “Barcelona” është klubi që fshihet pas këtij vendimi të Griezmann. “Blaugranat” janë gati të paguajnë shifrën e parashikuar në marrëveshjen e sigluar nga Griezmann në kontratën që e mban të lidhur me “Atletiko Madrid” deri në vitin 2023, në rast se kjo marrëveshje do ndërpritej para kohe. Bëhet fjalë për një shifër diku te 125 milionë euro, 20% të të cilave do ti përfitojë Real Sociedad, ish-klubi i Griezmann, sipas marrëveshjes që kryeqytetasit kishin me klubin në fjalë gjatë kohës që francezi u vesh bardhekuq. Gjithsesi, sa i takon kalimit të Griezmann te “Barcelona” nuk ka ende asgjë zyrtare, teksa largimi i tij nga Madridi është firmosur tashmë.

“Kam njoftuar klubin për vendimin tim. Kam njoftuar bashkudhëtarët e mi në skuadër. Tashmë është momenti që dhe ndjekësit e mi të njihen me këtë vendim të rëndësishëm. Kam nevojë për stimuj të ri. “Atletiko Madrid” është klubi që më ka dhënë emocionet e para. Është klubi ku kam fituar trofetë e parë dhe ku tifozeria më është gjendur pranë. Kanë qenë pesë vite të mrekullueshme të cilat do ti kem gjithnjë në zemër”, – thekson Griezmann./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.