FOTO/ Tirana “pushtohet” nga lulet shumëngjyrëshe

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Lulet shumëngjyrëshe zbukurojnë përditë e më shumë në ditët e fundit të pranverës lulishtet në të gjitha rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

Punëtorët e mirëmbajtjes së qytetit janë ata që tregojnë kujdesin e duhur që në orët e para të mëngjesit për pastërtinë dhe imazhin e kryeqytetit.

Ata e nisin ditën duke u kujdesur për lulishtet, ndërsa vetë kryebashkiaku Erion Veliaj nuk harron t’i sjellë në vëmendje herë pas here, si një nga pjesët e rëndësishme të bashkisë së Tiranës.

Veliaj e nis ditën me foto nga zonat më të gjelbëruara të qytetit, duke na shpalosur Tiranën shumëngjyrëshe.

“Mirëmëngjes Tiranë e pastër e plot ngjyra dhe në ditë me shi! Punë të mbarë kolegëve që kujdesen për çdo cep të shtëpisë tonë të madhe e ditë të mbarë gjithsecilit prej jush!” – shprehet Veliaj.

Bashkia vijon me ritme të larta rehabilitimin e të gjitha lulishteve të kryeqytetit, duke i shprehur në këtë mënyrë dashurinë Tiranës nëpërmjet luleve shumëngjyrëshe që po mbillen çdo ditë.

Lulishteve nuk mund t’i mungojë as krasitja dekorative, gjë e cila ia shton më shumë bukurinë përmes formave artistike që marrin bimët nga duart e punonjësve të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

Gjatë ditës së sotme ata po mbjellin lule edhe në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, ku kryeqytetasit kalojnë mëngjeset dhe mbrëmjet pranverore. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.