Foto/ Austria dhe Zvicra, bashkëfinancim për shtimin e hapësirave publike në Patos dhe Fier

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johan Sattler vizitoi sot Patosin, ku po zbatohet projekti i bashkëfinancuar nga qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë për krijimin e këndeve të lojërave dhe hapësirave publike për fëmijët.

I shoqëruar nga Kryetarja e bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj, ambasadori Sattler pa nga afër punimet që janë kryer në këtë bashki, ku në kuadër të këtij projekti janë ngritur 7 kënde lojërash.

Zbatimi i projektit financuar në kuadër të Skemës Pilote të Granteve të RDPA-së, me një buxhet prej 63431 euro, bashkëfinancuar nga bashkia Patos, ka përmirësuar dukshëm situatën e hapësirave publike të dedikuara për fëmijët në qytetet e Patosit dhe Fierit, duke krijuar struktura çlodhëse dhe argëtuese, lehtësisht të aksesueshme për fëmijët e të gjitha moshave.

Në total janë ndërtuar 7 parqe lojërash në Patos dhe 5 në Fier duke ofruar kështu një shërbim cilësor për fëmijët dhe komunitetet përreth. Duke krijuar këto oaze në hapësirat publike, lehtësisht të aksesueshme për të gjithë, fëmijët do të kenë mundësinë të luajnë në ajër të pastër, duke përforcuar rritjen e shëndetshme dhe zhvillimin e aftësive sociale, mendore dhe argëtuese.

Ky përmirësim i hapësirave urbane, në të dyja qytetet do të rigjallërojë jetën e komuniteteve lokale dhe do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e aktiviteteve sociale të komuniteteve.

Kjo ndërhyrje është një nga 16 projektet zhvillimore të financuara nga skema Pilot e Granteve Rajonale e cila synon të përmirësojë kushtet social-ekonomike të komuniteteve në Bashkitë e Shqipërisë.

Këto projekte adresojnë nevoja themelore të komuniteteve vendore përmes investimeve të vogla në arsim, turizëm, sport, kulturë dhe infrastrukturë komunitare, duke përmirësuar në këtë mënyrë cilësinë e jetës së tyre.

Skema e granteve kontribuon gjithashtu për forcimin e kapaciteteve institucionale rajonale dhe vendore për menaxhimin e projekteve zhvillimore duke u përgatitur kështu për financime të ardhshme nga donatorët sidomos në kuadrin e projekteve të BE-së.

Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri është një përpjekje e përbashkët dhe në vazhdim për të mbështetur reformën e zhvillimit rajonal në vend. Programi synon të ulë pabarazitë në Shqipëri duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të forta në mënyrë që ato të përparojnë dhe të sigurojnë kushte më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.