Braçe: Berisha i dha demokracisë trajtën e snajperit

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka publikuar një video ku gjatë një emisioni televiziv, ish-kryeministri Sali Berisha shprehej se në protestën e 21 Janarit kishte snajper të gatshëm për të qëlluar.

Në emision, Berisha shprehet se “po preke gjënë më të vogël, do jenë 5 snajperë. 4 në të katër anët dhe unë në atë dritare. Dhe në mënyrë absolute do goditet, vetëm po s’e shpoi plumbi. Për zjarrvënës unë do të bëj atë që më takon me bë. Jo kryeministri, po një post policie më të largëtin në Shqipëri po e prekën, në mënyrë absolute nuk do kthehet në Tiranë i gjallë”.

Duke iu drejtuar disa prej gazetarëve dhe analistëve, Braçe shprehet se Berisha nuk ishte vetëm, por kishte dhe aleatin e sotëm, LSI.

“Diferencë e thellë shumë!! Dhe mos harroni, ky nuk ishte vetëm, kishte dhe aleatin e sotëm kur i dha demokracisë trajtën e snajperit, pushkatuesit, vrasësit gjakatar! Ditë të mirë dhe gojën hapur deri në fund!”, shprehet Braçe, duke publikuar videon e intervistës së Berishës në Real Story. /gj.m/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.