Aleanca e Grave Deputete, axhendë aktivitetesh për dy vitet e ardhshme

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Aleanca e Grave Deputete zhvilloi sot një mbledhje për të prezantuar punën e kryer vitin e kaluar si dhe për të prezantuar kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë dy viteve të ardhshme.

Të pranishme në mbledhje ishin gratë deputete të të gjitha forcave politike, përfaqësues nga organizata ndërkombëtare OSBE dhe UN Women dhe staf mbështetës i Kuvendit.

Gjatë vitit 2018, Aleanca e Grave Deputete ka zhvilluar disa aktivitete si organizimi i konferencës për shkallën e trafikimit të qenieve njerëzore ne rajonin e Ballkanit dhe roli i parlamentarëve në këtë drejtim; pjesëmarrja në Samitin Botëror të Grave Parlamentare; nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit me UN Women etj.

Më tej, mbledhja vijoi me prezantimin dhe diskutimin e kalendarit të aktiviteteve të Aleancës së Grave Deputete për vitin 2019 – 2020.

Gjatë diskutimeve për kalendarin e aktiviteteve, deputetja e PS-së, Milva Ekonomi theksoi rëndësinë e hartimit të një përmbledhje për gjetjet e Raportit Pekin +25.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali vlerësoi kalendarin e aktiviteteve dhe nënvizoi organizimin e një aktiviteti lidhur me fyerjen dhe gjuhën që nxit urrejtjen.

Mbi kalendarin e aktiviteteve, deputetja socialiste Blerina Gjylameti, pasi e vlerësoi atë u shpreh mbi përgatitjen e një rregulloreje që duhet të shoqërojë çdo nismë ligjore sa i përket buxhetimit gjinor.

Në vijim, deputetja e PS-së Klodiana Spahiu theksoi se pjesë e kalendarit të aktiviteteve të AGD-së duhet të jetë Raporti Treguesi i Shëndetit të Gruas dhe veçanërisht mbështetja e nënave të moshës së tretë.

Deputetja socialiste Antoneta Dhima sugjeroi që rekomandimet e deputeteve të reja të bëhen pjesë e kalendarit të aktiviteteve të AGD-së.

Më tej, fjalën e morën edhe përfaqësuese të opozitës Fatjona Dhimitri dhe Aurora Mara të cilat shprehën konsideratën, gatishmërinë dhe falenderimet e tyre për Aleancën e Grave Deputete./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.