AKU bllokon në Morinë 762 kg produkte ushqimore të skaduara

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë, 762 kg produkte ushqimore (majonezë, ketchup dhe xhel karameli) të skaduara.

AKU bën të ditur se, nëse sot do të kishim gati ndryshimet në Kodin Penal dhe nuk do të ekzistonte vakuumi ligjor që kemi, një rast si ky që goditëm në pikën kufitare të Morinës do të shkonte për ndjekje penale dhe subjekti do të ndëshkohej me burg.

Sipas AKU-së, ngarkesa me këto produkte ishte nisur nga Kosova dhe pretendohej për rieksport në Shqipëri. Inspektorët e AKU-së gjatë kontrollit në kufi kanë konstatuar mangësi në mos përputhje të dokumentacioni që shoqëronte këtë ngarkesë, konkretisht raport-analizat nuk i përkisnin këtyre produkteve dhe mungesë të datës së skadencës në etiketë.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ngarkesa me produktet ushqimore të skaduara u kthye në vendin nga ishte nisur. Me ndryshimet në Kodin Penal që do të miratohen së shpejti masat ndëshkuese ndaj kujtdo që abuzon me sigurinë ushqimore do të jenë tejet të ashpra dhe parashikojnë dënim me burg.

Siguria ushqimore është prioritet i punës tonë dhe për asnjë rast nuk do të ketë tolerim ndaj abuzuesve. Ftojmë konsumatorët të jenë bashkëpunues me AKU-në duke denoncuar rastet që konstatojnë se ka abuzim. Siguria ushqimore është një çështje e të gjithëve dhe që kërkon angazhim të përbashkët, citon njoftimi i AKU-së. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.