​Kosovë/ Gjermania jep edhe 2 milionë euro për qeverisje të mirë

PRISHTINË, 15 maj/ATSH/ – Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Republikës Federale e Gjermanisë kanë nënshkruar marrëveshjen implementuese për Fazën e IV të Projektit për Qeverisjen e Mirë Financiare.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt. Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se Gjermania po vazhdon të ndihmojë shtetin e Kosovës me taksat e saj.

Hamza tha se sot nënshkruan një marrëveshje për fazën e katërt të qeverisjes së mirë vlera e të cilës është 2 milionë euro.

Kjo marrëveshje e bërë 10 vite më parë ka dhënë rezultate të mëdha sa i takon rritjes së llogaridhënies dhe transparencës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Held tha se fazat e më hershme të kësaj marrëveshje e kanë rritur llogaridhënien e ekzekutivit.

Ai tha se përmes kësaj faze do të vijnë instrumente të tjera që edhe tutje do të kontribuojnë në rritjen e llogaridhënies së ekzekutivit dhe transparencës së parlamentit.

Ambasadori gjerman tha se duhet të punohet më shumë në ATK që të rritet besimi i tatimpaguesve./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.