Qendra shëndetësore Velipojë plazh, ndryshim total të kushteve për pushuesit

TIRANË, 14 maj/ATSH/- Qendra shëndetësore në Velipojë plazh, Shkodër falë rehabilitimit të plotë, është transformuar tërësisht duke përmirësuar nga themelet shërbimin që ofron për banorët e zonës, si dhe për pushuesit vendas apo të huaj gjatë verës.

Kjo qendër është transformuar falë investimeve në kuadër të programit për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore në gjithë vendin deri në fund të këtij mandati qeverisës.
Kryeministri Edi Rama uroi mirëmëngjes me pamje nga transformimi i kësaj qendre shëndetësore.

Doktoreshë Vjollca Laçej tha se “është një qendër, e cila nuk ka funksionuar për shumë vite, tani ka kushte shumë të mira”.

Infermierja Vera Martini shprehet se “me ambulancën e re që është shumë më e përshtatshme për personelin mjekësor edhe për ti shërbyer sa më mirë banorëve që vijnë gjatë verës në plazh”.

Kjo ambulancë është një nga 80 qendrat shëndetësore të rindërtuara me themel gjatë fazës së parë të këtij programi. Faza e dytë e këtij programi nis këtë vit me 100 qendra të tjera. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.