Lezhë, gati projekti për restaurimin e Kishës së Shën Venerandës

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – Kisha e Shën Venerandës ndodhet në lindje të fshatit Pllanë (Lezhë), dhe ngrihet në lartësinë e kodrës mes një gjelbërimi. Ajo është një kishë e madhe dhe përbëhet prej naosit dhe narteksit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin ndërhyrje restauruese në Kishën e Shën Venerandës në fshatin Pllanë, Lezhë.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të objektit.

Monumenti është një ndërtim i shek. XIV i stilit Benediktin dhe falë marrëdhënieve të pallatit të Romës me Monolin si perandor i Kostandinopojës, vendimet merreshin direkt nga Papati. Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Narteksi është i hapur e i rrethuar me arkada mbi pilastër me prerje katrore, me muraturë, me tulla të kuqe.

Dera kryesore e kishës ndodhet në faqen perëndimore, një tjetër derë ndodhet në pjesën qendrore të faqes veriore të Naosit. Në faqen lindore ka një apsidë rrethore të madhe e të lartë, si dhe dy nike të vogla anash. Kisha ndriçohet prej 7 dritaresh, të cilat janë me hark dhe një është rrethore. Naosi mbulohet me tavan druri, i cili vazhdon pa ndërprerje edhe në pjesën e Mafilit.

Kisha përmendet në dokumente historike të shek. XVII, ku kalon në vartësinë e peshkopatës së Lezhës, Krujës apo Durrësit. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.