FOTO-VIDEO/ Papavrami magjeps publikun me sonatat e Beethoven

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – Sonatat e Bethovenit u sollën mjeshtërisht mbrëmjen e djeshme nga violinisti shqiptar me famë botërore Tedi Papavrami dhe pianisti François Frederic-Guy.

Koncerti u mirëprit nga artdashësit kryeqytetas, të cilët kishin mbushur sallën e katedrales ortodokse në Tiranë.

Ky koncert i organizuar në kuadër të “Different Trains”, pjesa e dytë e integrales së sonatave Beethoven, erdhi pas një bashkëpunimi të gjatë së bashku në shumë skena botërore.

Papavrami dhe Frederic-Guy sollën me mjeshtëri sonatat 2, 7 dhe 10 të Beethoven, ku kjo e fundit i është kushtuar një ndër etapave të vështira të gjeniut të madh.

Është pikërisht Sonata nr. 10 e fundit që Beethoven shkroi, gjatë periudhës më vetmitare të izolimit të tij, ku u tërhoq nga jeta sociale për arsye të shurdhimit.

Beethoven shkroi disa nga veprat kryesore në muzikë që akoma dhe sot nuk barazohen me asnjë cikël të ndonjë autori tjetër në muzikë.

Pianisti Papavrami shprehet se me sonatat e Beethoven arrijmë në diçka shumë shpirtërore, tek një njeri që e sheh jetën me shumë distancë.

Drejtor artistik i “Different Festival” Vlorent Xhafa para fillimit të koncertit u shpreh se “Papavrami dhe François Frederic-Guy do të interpretojnë tre sonata të Beethoven nga tre periudha të jetës së tij, pjesa e parë rinia e tij gjeniale, që është sonata numër dy. Shumë e veçantë është sonata numër 10, ku pjesa e fundit e programit të sotëm është vepra e fundit që Beethoven ka shkruar për këtë formacion, që është edhe periudha e fundit e jetës së tij, ku ai ishte totalisht i izoluar nga bota e jashtme”.

Në vitin 2020, vit i 250-vjetorit të Beethoven, do të luhet koncerti i tretë dhe i fundit që mbyll ciklin e plotë të 10 sonatave që Beethoven ka shkruar për violinë dhe piano.

Artisti Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P. Bianconi, H. Sermet, M. Rubackyte, P. Meyer, E. Lesage, R. Oleg, G. Hoffman, etj.

Prej vitesh tanimë, “Different Festival” sjell në Shqipëri muzikë dhe artistë të mirë. Artistë që prej kohësh nuk e preknin skenën e Tiranës, u kthyen nga skena të ndryshme të botës ku ata interpretojnë, bashkë me “Different Festival”.

Kjo e bën atë një pikë takimi mes artistësh, një stacion kthimi nga rrugët që karrierat e tyre kanë marrë nëpër botë. Përveç sallave të mëdha dhe kryesore të Tiranës, që kanë qenë gjithnjë të tejmbushura, festivali ka synuar edhe qytete të tjera të Shqipërisë, si: Vlora, Korça, madje deri në Kukës.

Kanë kërkuar për skena alternative, kanë dhënë koncerte falas, duke ftuar pranë vetes edhe një publik të ri në moshë./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.