FOTO/ Margariti tur virtual në Kalanë e Prezës mes bukurive të trashëgimisë kulturore

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka shijuar një tur virtual në Kalanë e Prezës, një destinacion historik dhe kulturor shumë pranë kryeqytetit.

“Me realizuesit e projektit “Bota ndryshe”, që synon promovimin e monumenteve të Shqipërisë, si dhe t’u thjeshtojë aksesin turistëve dhe qytetarëve, duke i krijuar mundësinë e prekjes virtuale me VR videos 360 gradë, audiobook dhe fotografi të objekteve që mund të vizitojnë. 5 kala janë përzgjedhur si epiqendra e 5 videove 360 gradë”, shprehet ministrja Margariti mbi këtë eksperiencë të veçantë, ku teknologjia është tashmë pjesë e itinerareve kulturore.

Kalaja e Prezës ndodhet 277 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve dhe arkeologëve shqiptarë e të huaj ka filluar të ndërtohet rreth 2400 vjet më parë.

Ajo ka një gjatësi 80 metra, gjerësi 50 metra dhe trashësia e mureve deri 1,4 metra. Nga kalaja e Prezës shikohet kalaja e Lezhës, Krujës, Ishmit, Petrelës, mali i Dajtit, mali i Tomorrit dhe deti Adriatik.

Përveç luftërave të shumta të zhvilluara në kalanë e Prezës, sipas historianit Marin Barleti më 26 janar 1445, në kalanë e Prezës është bërë dasma e martesës të motrës së vogël të Skënderbeut, Mamicës me Muzak Topinë. /a.a/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.